Largohet Ernest Gjoka, Kukësi befason me trajnerin e ri

Largohet Ernest Gjoka, Kukësi befason me trajnerin e ri

10:10, 24/07/2017

Drejtuesit e Kukësit po vijojnë punën për Kukësin e ri, për të bërë një ekip kompetitiv më të fortë nga Kukësi i sezonit që kaloi, me qëllim ruajtjen e titullit kampion. Por, kjo detyrë e vështirë pritet që t’i ngarkohet trajnerit që do ta marrë përsipër ekipin me objektivat e qarta, ruajtjen e titullit kampion dhe fitimin e Kupës së Shqipërisë.

Kukësi aktualisht është pa trajner e me shumë gjasa trajneri i ri vendoset ditën e sotme, pasi presidenti Gjici do takojë kandidatët për postin e teknikut. Së pari, pritet një takim midis presidentit Gjici dhe trajnerit që tashmë i ka përfunduar kontrata me Kukësin, Ernest Gjokës.

Bashkëpunimi midis dy palëve ka përfunduar me eliminimin e Kukësit nga Kupat e Europës, pasi ajo ishte prova e Gjokës, nëse do e kalonte do konfirmohej për sezonin e ri, gjë që nuk ndodhi, e për këtë arsye presidenti Gjici mendohet do t’ia japë mundësinë një trajneri tjetër.

Sipas burimeve të 'Panorama Sport', pasuesi i Gjokës do të jetë ish-trajneri i kombëtares shqiptare U-21, Skënder Gegës. Mbas përfundimit të takimit të presidentit Gjici me Gjokën, ku palët do i japin dorën njëri-tjetrit pas bashkëpunimit njëvjeçar, axhenda e numrit një të klubit do vijojë me takimin me Skënder Gegën, me të cilin do diskutohen detajet për kontratën dhe bashkëpunimin për sezonin e ri.

Ndërkohë, drejtues të tjerë të Kukësit po punojnë paralelisht dhe po mbajnë kontakte me agjentin e Mladen Milinkoviç, i cili tashmë duket më larg Kukësit, pasi palët nuk kanë rënë dakord për detaje. Mësohet se trajneri serb ka kërkuar që të merrte me vete edhe stafin e tij që ka pasur te Luftëtari, gjë të cilën verilindorët nuk e kanë pranuar.

Gjithsesi, nuk është mbyllur përfundimisht dera për Milinkoviç, pasi nëse do bjerë dakord me kushtet e verilindorëve, nuk është çudi të përzgjidhet ai në krye të punëve teknike të klubit verilindor. Përpos kësaj panorame, prezantimi i trajnerit të ri te Kukësi është çështje orësh.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco