Shqipëria luan ndeshjen e radhës me Gjeorgjinë në “Arenën Kombëtare” mbrëmjen e 10 korrikut, e vlefshme për Grupin B1 në Ligën e Kombeve.
Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë aventurën në këtë kompeticion, duke mundur Ukrainën, e cila në letër ishte skuadra më e fortë e grupit. Të besuarit e Sylvinhos dhanë një paraqitje fantastike, të cilët edhe pse qëndruan për 5 minuta në disavantazh, e menaxhuan mjaft mirë ndeshjen për ta përmbysur.
Tashmë është radha e Gjeorgjisë, surpriza e bukur e Europianit që lamë pas dhe një “mace e zezë” për Shqipërinë. Fitorja e fundit e Kombëtares sonë është në vitin 2005 në “Qemal Stafa”, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit “Gjermani 2006”, e cila u mbyll me rezultatin 3-2.
Që atëherë Shqipëria është përballur 5 herë me Gjeorgjinë, ku numëron tre barazime dhe dy humbje, të gjitha miqësore. Në totalin e përballjeve me njëra-tjetrën, kuqezinjtë numërojnë tre fitore, ndërsa gjeorgjianët 8 ndërsa 4 janë mbyllur në barazim.
Gjithsesi, me Sylvinhon në krye Shqipëria ka treguar që nuk ka frikë asnjë skuadër, pasi theu tre “tabu” duke mundur tre kombëtare që nuk kishim fituar kurrë, Poloninë, Çekinë dhe Ukrainën.
Një avantazh tjetër për djemtë tanë është edhe “Arena Kombëtare”. Disfata e fundit e Shqipërisë në këtë stadium daton më 16 nëntor 2022, 1-3 përballë Italisë në miqësore. Pas kësaj erdhi fitorja me Armeninë 2-0, e cila ishte dhe e fundit për Edy Rejan në stolin kuqezi.
Më pas në krye erdhi Sylvinho, i cili në 5 ndeshjet e zhvilluar brenda, numëron 4 fitore dhe një barazim. Tekniku brazilian kërkon të ruajë këtë vazhdimësi, ndërsa një fitore e radhës do ta linte Shqipërinë të vetme në krye të Grupit B1, e cila do të thoshte një hap i vogël drejt ëndrrës për ta parë Kombëtaren tonë në një Kampionat Botëror.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: