Pas konferencës zyrtare për shtyp të trajnerit Silvinjo dhe mesfushorit Kristjan Asllani, Kombëtarja zbriti dje në fushën e “Air Albania”-s dhe kreu seancën e fundit stërvitore. Të gjithë lojtarët gëzojnë formë të mirë fizike dhe do të jenë në dispozicion të trajnerit Silvinjo për ndeshjen kundër Gjeorgjisë, e vlefshme për Ligën e Kombeve.
SEANCA- Lojtarët u lanë të lirë fillimisht, duke ngrohur muskujt dhe duke pritur sinjalin e Silvinjos. Atmosfera ishte tepër pozitive dhe kjo u pa qartë edhe në humorin e skuadrës. Lojëra dhe duke ngacmuar njëri-tjetrin, trajneri i mbledh si gjithmonë në mes të fushës të gjithë lojtarët, për të mbajtur një fjalim të shkurtër.
Ndërkohë në atë moment, Marash Kumbulla po ndërronte këpucët e tij dhe u vonua disi. Sapo u bë gati ai vrapoi për në qendër, por me shaka i gjithë ekipi e priti me duartrokitje. Më pas lojtarët vijuan me ushtrimet e udhëzuara dhe seanca stërvitore e Kombëtares zgjati rreth një orë, duke provuar vendosje taktike dhe situata të ndryshme loje. Në mesin e stërvitjes, mbërriti edhe kreu i FSHF-së, Armand Duka, i cili ndoqi nga afër ekipin.
TITULLARËT- Formacioni fitues nuk lëvizet. Nuk dihet nëse është ky rast sot për Silvinjon, por në konferencën për shtyp trajneri nuk dha ndonjë sinjal për ndonjë ndryshim në lojtarët që do ta nisin nga minuta e parë ndeshjen me Gjeorgjinë. Ndryshe nga Ukraina, rivalët e sotëm kanë një tipologji tjetër loje dhe mbetet për t’u parë qasja që do të kenë kuqezinjtë në fushë, por gjithashtu edhe futbollistët që braziliani do të zgjedhë.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: