Angel Di Maria është i lumtur për rinovimin me Benfikën. Edhe pse dëshira e kampionit argjentinas ishte rikthimi te Rosario, kërcënimet e mafies në vendlindje ia mohuan kënaqësinë për të kaluar vitet e fundit të karrierës tek ekipi i zemrës.
36-vjeçari ka firmosur për një tjetër sezon me “Shqiponjat e Lisbonës” dhe është i karikuar në maksimum për fitimin e trofeve me klubin historik portugez.
“Jam i lumtur që do të qëndroj te Benfika edhe një vit dhe që do të kem mundësinë të vazhdoj të vesh këtë fanellë. Shpresoj të fitoj trofetë që nuk i arrita sezonin e kaluar.
Elozhet? Më lumturon fakti që shokët e skuadra më vlerësojnë dhe flasin kaq mirë për mua. Jam një person normal, i cili gjithmonë përpiqet të ecë përpara dhe të fitojë gjithmonë.
Dua të arrij objektivat e klubit dhe tentoj të motivoj shokët e skuadrës – jo vetëm të rinjtë – në kuadër të këtij qëllimi. Jam në një moshë ku përvoja nuk më mungon.
Kështu që synoj t’i ndihmoj ata dhe të bëj maksimumin për fitimin e sa më shumë trofeve”, shprehet sulmuesi i djathtë.
Di Maria i dha fund aventurës me kombëtaren e Argjentinës pas fitimit të Kupës së Amerikës, për herë të dytë. Ndërkohë që në Katar 2022 plotësoi edhe ëndrrën e madhe për t’u shpallur kampion bote me kombëtaren albiceleste.
Tani shpreson të shijojë tituj me Benfikën, ekip ku po përjeton aventurën e dytë në karrierë. Vjet u sigurua Superkupa e Portugalisë, ndërkohë që në edicionin e ri objektivi i madh është titulli.
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: