Legjionarët/ Cikalleshi rikthehet te goli, Seferi jep asist, Gjimshiti më i miri në mbrojtjen e Atalantës

Legjionarët/ Cikalleshi rikthehet te goli, Seferi jep asist, Gjimshiti më i miri në mbrojtjen e Atalantës

10:00, 13/05/2024

Kur kanë mbetur edhe pak javë nga përfundimi i sezonit 2023-2024 në disa nga kampionatet më të rëndësishme në Europë dhe jo vetëm, legjionarët kuqezi vijojnë të japin më të mirën e tyre në klubet ku aktivizohen.

Sokol Cikalleshi u rikthye te goli në kampionat me skuadrën e Konyaspor, që triumfoi 3-0 në sfidën e fundjavës ndaj Samsunspor.

Sulmuesi i Kombëtares kuqezi realizoi me kokë në minutën e 38-të, duke vulosur fitoren e Konyaspor.

Për Cikalleshin ky ishte goli i 12-të në kampionat, teksa numëron edhe pesë asiste.

Taulant Seferi vijon të shfaqet protagonist me ekipin e Bani Yas në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Pavarësisht se skuadra e tij u mposht 2-3, sulmuesi kuqezi dhuroi një asist për shokun e skuadrës Alvarez që ngushtoi diferencën.

Seferi ka zhvilluar një sezon të mirë në aspektin personal, teksa numëron 9 gola dhe 4 asiste deri më tani në kampionat.

Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, po kalon një moment fantastik në karrierën e tij, teksa po shkëlqen me Atalantën.

Të enjten e kaluar skuadra bergamaske shkroi historinë duke siguruar për herë të parë finalen e Europa League.

Në ndeshjen e kthimit Atalanta triumfoi 3-0 ndaj Marseille dhe Berat Gjimshiti ishte më i miri në prapavijë, teksa në fund të sfidës u vlerësua me notën 7.6 nga sajti i specializuar për statistika sofascore.

Edhe në sfidën e fundjavës në Serie A kundër Romës, Atalanta regjistroi fitoren e radhës me rezultatin 2-1, ndërsa Berat Gjimshiti sërish u vlerësua më i miri në mbrojtje duke regjistruar një tjetër paraqitje dinjitoze me Atalantën.

Titullarë këtë fundjavë me klubet e tyre ishin edhe Elhan Kastrati, Elseid Hysaj, Adrian Ismajli, Ivan Balliu, Enea Mihaj, Jon Mersinaj, Marash Kumbulla, Naser Aliji, Kristjan Asllani, Qazin Laçi, Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Rey Manaj dhe Mirlind Daku, ndërkohë dhanë kontributin e tyre si zëvendësues Keidi Bare, Nedim Bajrami, Armando Broja, Arbër Hoxha dhe Arbnor Muja.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco