120 vite pritje, bie mallkimi 'Neverkusen', Alonso-Xhaka shkruajnë historinë

120 vite pritje, bie mallkimi 'Neverkusen', Alonso-Xhaka shkruajnë historinë

12:10, 15/04/2024

120 vite pritje për të festuar më në fund një titull në Bundesligë. Tingëllon e pabesueshme për një skuadër si Bayer Leverkusen, një ekip që ka mundur të fitojë një Kupë UEFA në 1988, por që kanë shkuar edhe deri në finalen e Champions League përballë Real Madrid.

“Neverkusen” ishte një pseudonim që i përndiqte prej vitesh, por ky status mori fund këtë të diel ku banda e Xabi Alonsos u shpall matematikisht kampion 5 javë përpara fundit.

“Aspirinat” i japin fund dominimin 11 vjeçar të Bayern Munich, me Bundesligën që kishte kthyer në “BayernLiga”.

Ky është një titull i paharruar, për më tepër një titull që erdhi me një dominim total. Nuk kishte më bukur se sa të festonin përballë publikut të tyre, në “BayerArena”, tifozët shpërthyen në delir pas suksesit me “manita” kundër Werder Bremen.

Kjo ishte ndeshja e 43 radhazi që Leverkusen nuk pëson humbje, por asgjë nuk përfundon këtu, pas dushit me birra dhe pas festës me tifozët, Bayer vijon sezonin pasi në lojë janë edhe dy trofe të tjerë, Kupa e Gjermanisë ku ndodhen në finale dhe Europa League, ku janë me një këmbë në fazën gjysmëfinale pasi fituan 2-0 kundër West Ham në ndeshjen e parë.

Arkitekti i këtij suksesi është pa diskutim Xabi Alonso, një trajner që po mahnit Evropën, i shumëkërkuar, por që në fund i premtoi besnikëri Leverkusen.

Jo vetëm Alonso, një nga lojtarët kyç të këtij triumfi ishte edhe Granit Xhaka. Në sezonin e tij të parë me fanellën e Leverkusen, Xhaka shijon titullin kampion në Bundesligë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco