Ikona e futbollit gjerman i bën thirrje Bayernit: Largojeni që tani Tuchelin, merrni Murinjon për Championsin!

Ikona e futbollit gjerman i bën thirrje Bayernit: Largojeni që tani Tuchelin, merrni Murinjon për Championsin!

19:32, 01/04/2024

Humbja përballë Borusia Dortmund në klasiken e futbollit gjerman, mund të sjellë largimin më të shpejtë të Thomas Tuchel nga pankina e skuadrës bavareze.

Kjo edhe për faktin se po shtohen gjithnjë e më shumë zërat kundër tij.

Tuchel ka vendosur të largohet në fund të sezonit nga ekipi bavarez, por tashmë ka edhe emra të njohur të cilët duan që ai të mos jetë në drejtimin e ekipit.

Pas kësaj humbjeje që çoi në 13 pikë diferencën me Bayer Leverkusenin kryesues, Tuchel e uroi skuadrën e drejtuar nga Xabi Alonso për titullin kampion.

Dhe kjo nuk i ka pëlqyer Ditmar Haman, një ikone të Bayern Munchen dhe Gjermanisë, i cili ka shprehur dëshirën që Tuchel të largohet sa më parë, pasi kështu skuadra do të ketë më shumë shanse që të paktën të tentojë fitoren e Ligës së Kampioneve në këtë edicion.

“Si klub, duhet të marrësh një vendim që është më e mira për klubin. Këtu nuk është çështja për Thomas Tuchel, apo Maks Eberl, Herri Kejn apo Xhoshua Kimish. Kjo ka të bëjë me Bayern Munchen.

Je mes 8 skuadrave më të mirë në Europë dhe nëse Bayerni luan si mundet, ata kanë një mundësi të mirë për të kaluar Arsenalin. Ky Arsenal është një ekip i mirë, por përsëri pa shumë eksperiencë në këto nivele. Dhe sipas mendimit tim, tani duhet marrë vendimi nëse kjo është zgjedhja më e mirë që të mundëson të kalosh përballë Arsenalit.

Sipas meje, drejtuesit duhet të pyesin veten nëse duan të hyjnë në pjesën e fundit të sezonit dhe në Ligën e Kampioneve me Thomas Tuchel në drejtim në javët e ardhshme.

Ata duhet të mendojnë seriozisht të gjejnë një trajner të ri për javët e ardhshme, ka shumë në treg.

Mendoj emra si Murinjo. Mund të mendoni çfarë të doni për Murinjon, por lojtarët te Çelsi e dashuronin atë. Ai është një person i jashtëzakonshëm në aspektin profesional”, tha Haman në analizën e tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco