Shqipëria regjistroi rezultate të shkëlqyera në Kampionatin Europian të Peshëngritjes, që u zhvillua në Sofje të Bullgarisë.
Kombëtarja kuqezi e peshëngritjes fitoi tri medalje argjendi, që kanë për protagonistë Kristi Ramadanin (2) dhe Erkand Qerimajn në kategorinë e peshave 81 kg.
Surpriza e madhe ishte Ramadani, i cili e nisi nga Bateria B, duke tronditur Europianin me dy medalje argjendi.
23-vjeçari tregoi një formë fantastike, me pesë prova të suksesshme.
Për të folur rreth suksesit në Europian, Kristi Ramadani ishte i ftuar në “Kafe Shqeto” në Syri TV, ku rrëfeu emocionet e fitimit të medaljeve.
“Jam akoma në atë ndjesinë e mirë dhe pozitive, kur arrin të realizosh atë ëndërr që kë shumë vjet. Jam ende në ‘dehjen’ e suksesit’
Këto janë medaljet e para në garat për të rritur, ku këtë herë u shpalla nënkampion Europe.
Është një shenjë e lënë në histori me emrin tim dhe për ato medalje do jem gjithë jetën krenar.
Jam konfirmuar me këto dy medalje, tani pritshmëria është më e madhe. Synimi im është të vazhdoj në çdo garë të kem progres dhe jo regres. Pikësynimi im i radhës është Botërori që do të zhvillohet në Bahrein në dhjetor. Objektivi është të renditem mes tetë më të mirëve dhe pse jo të fitoj medalje”, deklaroi Kristi Ramadani.
/ Florian Behlula / Syri.net /
© SYRI.net
Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: