KAFE SHQETO/ Luiza Gega: Hera e parë që fitoj dy medalje ari! Nuk do të hesht për shpërblimet

10:23, 12/02/2024

Luiza Gega vazhdon të shkëlqejë dhe të ngrejë lart flamurin kuqezi. Në Stamboll, aty ku u mbajt Kampionati Ballkanik, atletja garoi në 1500 metra dhe 3000 metra, duke marrë vendin e parë. Gega ia doli t’i lërë mbrapa të gjitha konkurrentet, duke marrë kështu një sukses të rëndësishëm dhe duke siguruar medalje.

Në garën e 1500 m, Gega mbërriti e para në finish me kohën 4 minuta, 15 sekonda e 84 të qindtat, mbi dy sekonda më shpejt sesa ndjekësja më e afërt, Subatan Burgu e Turqisë dhe thuajse 4 sekonda më shpejt se Koraini Kiriakopoulu e Greqisë, që plotësoi podiumin.

Ndërkohë, në garën e 3000 m, Gega mbërriti e para në finish me kohën 9 minuta, 7 sekonda e 3 të qindtat, më tepër se 5 sekonda më shpejt sesa ndjekësja më e afërt, Pelinsu Shahin e Turqisë dhe thuajse një minutë më shpejt se Anastasia Panajota Marinaku e Greqisë, që plotësoi podiumin.

Për të folur për suksesin e saj të radhës, atletja, Luiza Gega ishte e ftuar në KAFE SHQETO në SYRI TV. Gega u shpreh se kjo është hera e parë që fiton dy medalje ari brenda orës, pasi të realizosh dy gara është e vështirë dhe duhet të japësh maksimumin.

Ishte hera ime e parë që fitoja dy medalje ari, pasi nuk është e lehtë të realizosh dy gara brenda orës, është e vështirë se duhet të japësh maksimumin dhe lodhja është në limite. E kam provuar më parë të realizoj dy gata brenda orës, por nuk ia dola. Jemi një vend i vogël dhe përpiqem që për aq kohë sa kam një formë të mirë, të bëj maksimumin dhe ti sjell medalje atletikës shqiptare por dhe të testoj veten për të parë se sa  mund të arrij të mbaj.

Përsa i përket mbështetjes nga ana e qeverisë, Gega u shpreh se deri më tani ka marrë 90% të shpërblimeve dhe nuk do të heshtë derisa të marrë atë që meriton.

Karriera ka dhe një kosto financiare dhe vetëm vitet e fundit kam arritur ti marr. Deri tani kam marrë 90% të shpërblimeve por unë do të ngre zërin deri sa të marr të gjitha shpërblimet sepse janë e drejtë e imja. Nuk po kërkoj asgjë që s’më takon dhe VKM-ja ka disa mangësi të cilat shpeshherë ne kemi hasur dhe vështirësi, nuk njihet një rekord ballkanik që unë kam vendosur në Kampionatin Botëror të vitit 2022, Federata Botërore e njeh, por Ministria  e Arsimit dhe Sportit nuk e njeh.

E pyetur nga gazetarja mbi synimet e këtij viti, Luiza u shpreh se qëllimi kryesor është të jem në top-3 në Kampionatin Europian dhe në Lojërat Olimpike që duhet të kem një performancë të mirë.

Këtë vit kemi Kampionatin Europian që do të Zhvillohet në fillim të muajit qershor, dhe aktiviteti më i rëndësishëm botëror “Lojërat Olimpike Paris 2024”, unë jam e i kualifikuar në të dy këto aktivitete. Synimi është të jem në top treshe në Kampionatin Evropian dhe unë shkoj me një përgjegjësi shumë të madhe si Kampione Evropë në fuqi, por nuk duhet ta them  sepse sporti nuk ka siguri asnjëherë që të jem përsëri kampione edhe pse është qëllimi kryesor i imi, por dhe në Lojërat Olimpike ku patjetër aty dua të kem performancën më të lartë dhe të futen në “top5-she”. Unë po mundohem të bëj maksimumin dhe këto ditë do nisemi për një trajnim në Kenia dhe bashkë me trajnerin do vendosim ku do jetë kampi tjetër stërvitor.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco