VIDEO/ Sherri mes futbollisteve në ndeshjen Tirana- Vllaznia, flasin futbollistet

21:00, 01/12/2023

 

 Kjo fushë e gjelbër që po shihni, të shtunën e kaluar u kthye në një arenë të vërtetë boksi. Për herë të parë protagoniste të atij sherri masiv, ishin futbollistet femra. Më saktë, lojtaret e skuadrave të Tiranës dhe ato të Vllaznisë.

Ndërsa pritej një 90’ minutësh i mbushur me emocione dhe spektakël, mes dy ekipeve që ndajnë kreun e renditjes në kampionat, loja u ndërpre për shkak të akteve të dhunës. Për të kuptuar më shumë se përse dhe si nisi ky incident i paprecedentë në futbollin për femra, kërkuam të takojmë nga afër përfaqësuesit e të dyja skuadrave.

Nga klubi i Tiranës morëm refuzim me justifikimin se gjërat tashmë ishin thënë dhe nuk kishte më nevojë të diskutohej për një ngjarje te shëmtuar, me fajtorë sipas tyre drejtuesit e skuadrës shkodrane. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Vllaznisë, vendosën të thyenin heshtjen, duke treguar versionin e tyre mbi atë ngjarje të 25 nëntorit. Ajo që na duhet në këto momente, janë faktet që provojnë bardhësinë e emrit të skuadrave, dhe për me tepër përse në këtë fushë sportive u luajtën vetëm 22 minuta futboll?

Me sa duket shkaku fillestar i konfliktit është bërë një faull i akorduar ndaj sulmueses së Vllaznisë, Megi Doçi. Në këtë moment, në sherrin mes vajzave përfshihen edhe pjesëtarët të tjerë. Sikur të mos mjaftonin përballja e lojtareve, nga pankinat zbresin edhe vetë presidentët e dy ekipeve, me qëllim për të shuar konfliktin. Por në vend të paqes filluan grushte dhe shkelma, duke e kthyer derbin mes dy skuadrave në një ndeshje boksi, ku protagonizmin e morën meshkujt.

Sipas drejtuesve të klubit shkodran, sulmi i paprecedentë erdhi nga disa persona te paautorizuar të skuadrës organizatore. Nga pala tjetër, në një deklarate për shtyp organizatorët e klubit kryeqytetas pretendojnë se sjelljet e dhunshme erdhën nga miqtë në shtëpinë e tyre, ose më qartë nga stafi meshkuj i Vllaznisë.

Nga sa thonë shkodranet, mes bardhe e bluve ka pasur edhe persona të tjerë nga stafi, të cilët shkaktuan episodet e dhunës. Dhe sigurisht, pas gjithë atyre skenave të shëmtuara, pasojat dhe dëmtimet për vajzat e futbollit janë të pritshme. Mungesa e forcave të rendit gjatë ndeshjes, është një tjetër akuzë e ngritur nga përfaqësuesit e Vllaznisë.

Detyrat e pakryera dhe paaftësia për të menaxhuar një situatë, që degjeneroi në dhunë, pikërisht në Ditën e luftës kundër Dhunës ndaj Grave. Sipas ekipit shkodran ky fakt u përdor nga klubi i kryeqytetit si argument kundër miqve. Këto akuza mbeten për t’u parë pas përfundimit të hetimeve të policisë si dhe hetimit paralel, të nisur edhe Komisioni i Disiplinës, në varësi të Federatës Shqiptare të Futbollit.

Në kulmin e kësaj beteje, tashmë mediatike, shkodranet lëshojnë një akuzë tejet të rëndë për futbollistet e Tiranës. Presidenti i Vllaznisë shkon më tej dhe flet për një komplot për t’i rrëmbyer kreun renditjes, por siç duket, ndeshja me aktet e dhunës pritet të ‘vulosë’ fatin e këtyre dy ekipeve, për renditjen dhe jo vetëm…

EMISIONI I PLOTE: 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco