Rama i merr kompetencat Dukës: Shqipëria mbështet Arabinë Saudite për Botërorin

Rama i merr kompetencat Dukës: Shqipëria mbështet Arabinë Saudite për Botërorin

16:18, 08/10/2023

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar nëpërmjet platformës “X” se Shqipëria mbështet Arabinë Saudite për organizimin e Botërorit 2034.

Në pamje të parë nuk ka asgjë të keqe që Shqipëria del hapur në mbështetje të një vendi për evenimentin më të rëndësishëm futbollistik që zhvillohet një herë në katër vjet. Por ama kjo është kompetencë e federatave që aderojnë në FIFA dhe jo e qeverive.

A mundet dhe a duhet që federatat të konsultohen me qeveritë e vendeve përkatëse para se të votojnë?

Patjetër që po, sepse ato në fund të fundit duhet të mbrojnë interesat kombëtare, qofshin sportive, apo përtej këtyre.

Image

Mirëpo pas konsultave, i takon një federate të marrë vendim zyrtarisht, jo qeverisë.

Sipas “Panorama Sport”, Rama në këtë rast ka dashur ta bëjë publike qëndrimin e Shqipërisë duke i dhënë edhe një mesazh Dukës, ndërkohë nga FSHF nuk ka asnjë reagim.

Burime pranë institucionit të futbollit bëjnë me dije se veprimi i Ramës nuk ka lënë shije të mirë, sepse “de fakto” ai ka marrë kompetencat e Dukës, me gjasë pa u konsultuar fare me presidentin e FSHF-së.

PROBLEMI I DYTË

Shqipëria është vend europian dhe bashkëpunimin më të madh e ka me UEFA-n. Projektet e ndryshme, fondet e zhvillimit të futbollit, etj, i merr direkt nga UEFA.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se për votimin e një “Botërori” Shqipëria të shndërrohet në vasale e bindur e UEFA-s, por gjithsesi duhet t’i peshojë disi gjërat para se të pozicionohet përfundimisht.

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me faktin që tanimë Duka është zv.president i UEFA-s, por për faktin se institucioni europian i futbollit ishte ai që vendosi të sillte finalen e Ligës së Konferencës Roma-Fejnord në Tiranë… Prandaj, në çdo rast do të ishte mirë që të kishte konsultime me qeverinë dhe ekspertë të fushës, sepse në pamje të parë është vetëm “një votë”, por aty luhen interesa të mëdha dhe Shqipëria do të duhet të përfitojë sa më shumë jo vetëm sportivisht.

Madje nëse do të ishte e mundur, do të duhej të kishte një bashkëpunim me federatën e Kosovës dhe atë të Maqedonisë që vota të merrte më shumë peshë dhe këto vende të mund të përfitonin më shumë se sa në të kaluarën.

Mirëpo deri tani duket se vendimin e ka marrë kryeministri Rama se për kë do të votojë FSHF-ja. E pritshme!

Për sa kohë Duka e çon trajnerin e Kombëtares, Silvinjon, në darkë te Rama para se t’ia prezantojë publikut, është normale që tani edhe vendimin se për kë duhet të votojë FSHF ta marrë kryeministri.

Kujtojmë se deri tani Arabia Saudite është i vetmi vend që ka konfirmuar zyrtarisht kandidaturën për zhvillimin e Botërorit 2034. Ndërkohë interes kanë shfaqur edhe: Kina, Australia me Zelandën e Re si dhe Uzbekistani me Kazakistanin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco