Dortmund vuan, por triumfon në transfertën e Hoffenheim dhe merr kreun e Bundesliga-s

Dortmund vuan, por triumfon në transfertën e Hoffenheim dhe merr kreun e Bundesliga-s

22:44, 29/09/2023

 

Spektakël, gola, penallti dhe shumë kartonë, madje edhe të kuq në sfidën e parë të javës së 6-të, në Bundesliga midis Hoffenheim dhe Borussia Dortmund.

 

Skuadra e Terzic fitoi 1-3, në një sfidë shumë të luftuar, ku “verdhezinjtë” kaluan të parët në avantazh me Fullkrug pas 18 minutash lojë

Një gol që ndryshoi “humorin” e vendasve, me Hoffenheim që kërkoi të reagonte dhe në minutën e 25-të realizoi golin e barazimit me anë të Kramaric, me sulmuesin që shënoi nga pika e bardhë e penalltisë.

Një moment dhe penallti që solli edhe polemika midis lojtarëve të Dortmund dhe arbitrit Badstubner, por në fund gjithçka u konfirmua.

1-1 dhe të dyja skuadra krijuan përsëri një volum të lartë, ndërsa Marco Reus çoi në delir “verdhezinjtë” me golin e shënuar në minutën e tretë të shtesës në fundin e pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, Hoffenheim ishte më dominuese dhe krijoi më shumë, por nuk gjeti forcën e duhur për të ndryshuar kursin e ndeshjes, madje as në minutat e fundit, kjo pasi Bensebaini u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë dhe la Dortmund-in me dhjetë lojtarë në minutën e 71-të.

Atë që nuk e bëri Hoffenheim, e bëri Dortmund që realizoi golin e tretë në minutën e 90+5’ me anë të norvegjezit Ryerson.

Në fund 1-3 dhe tri pikë me shumë vlera për të besuarit e Terzic, me Dortmund që regjistron fitoren e tretë radhazi në Bundesliga dhe të katërtën radhazi në “PreZero Arena”.

Borussia Dortmund ngjitet momentalisht në vendin e parë me 14 pikë, 1 më shumë se Bayern Munich dhe Bayer Leverkusen, ndërsa Hoffenheim pëson humbjen e dytë sezonale dhe mbetet me 12 pikë, momentalisht në vendin e 6-të.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco