Lajmi i fundit

LIVE/ 15 vjet, Shqipëria në NATO - Flet Kryetari i PD, Sali Berisha

'Koha të bëjmë hapin e fundit', De Bruyne: Do të kemi gjithë energjinë e botës

'Koha të bëjmë hapin e fundit', De Bruyne: Do të kemi gjithë energjinë e botës

22:28, 09/06/2023

 

E ëndërron prej kohësh dhe tashmë ka një tjetër mundësi për ta fituar. Kevin De Bruyne me Cityn e tij do të përballet me Interin në finalen e madhe të Stambollit, aty ku “Qytetarët” shihen si ekipi favorit. Në prag të kësaj sfide, mesfushori belg dha konferencën për shtyp, ku tregoi edhe pritshmëritë e tij për ndeshjen.

“Është e vërtetë, unë jam këtu prej një kohe të gjatë, ka pasur momente të pabesueshme, ulje-ngritje. Kemi luajtur në këtë kompeticion për një kohë të gjatë dhe nuk kemi arritur të fitojmë. Mendoj se kemi bërë mirë dhe nëse e fitojmë, padyshim që do të ishte fantastike për të gjithë.”

INZAGHI THA SE CITY ËSHTË EKIPI MË I MIRË NË BOTË- “E falenderoj Inzaghin, mendoj se ne punojmë shumë për të luajtur në maksimumin tonë. Kemi fituar shumë ndeshje dhe shumë trofe në Angli, mendoj se të gjithë e dinë se çfarë jemi të aftë. Do të provojmë përsëri nesër.”

SEZONI- “Ndërprerja për Kupën e Botës ishte shumë e çuditshme, të gjithë e përjetuan ndryshe. Unë padyshim jam shumë krenar për atë që kemi arritur si ekip. Kemi bërë gjëra fantastike dhe mungon vetëm hapi i fundit që duam ta bëjmë nesër.”

“DASHURI ME SHIKIM TË PARË ME HAALAND”- “Jo, absolutisht jo. Unë jam mirë me gruan time (qesh). Seriozisht, kimia që kemi në fushë është e vështirë të shpjegohet. Ndonjëherë unë e kuptoj atë që ai dëshiron dhe ai e kupton atë që dua unë. Ne lidhemi mirë dhe do të thosha kemi arritur ta ndihmojmë shumë ekipin deri tani. Shpresoj që ai të bëjë atë që di të bëjë edhe nesër.”

INTERI- “Ne e kemi studiuar mirë Interin, e dimë se çfarë janë të aftë të bëjnë si ekip dhe individualisht. Ne nuk presim një lojë shumë të hapur për sa i përket hapësirave, është një finale. Ne duhet të përpiqemi të luajmë siç dimë, me besim. Kështu, në fund mund krijojmë raste dhe të shënojmë gola.”

CHAMPIONSI, ËNDËRR APO OBSESION? “Kjo varet… Nëse fiton Champions Leaguen, merr një nga gjërat më prestigjioze që mund të fitosh, si ekip dhe si lojtar. Nesër kemi mundësinë ta provojmë.”

ENERGJITË NË KËTË PIKË TË SEZONIT- “Mendoj se çdokush do të kishte të gjithë energjinë e botës për një ndeshje si kjo. Nëse je mirë, mund të luash për të gjithë vitin. Nëse je në formë, mund të luash çdo 2-3 ditë. Gjëja më e komplikuar është rikuperimi në nivel mental. Por nuk mendoj se probleme të tilla do ketë në një finale Championsi. Nesër të gjithë lojtarët do të kenë të gjithë energjinë e botës.” 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco