‘Të fitojmë dhe të sjellim kupën në shtëpi’, Lautaro: Dua që ky sezon të ketë fund të lumtur

‘Të fitojmë dhe të sjellim kupën në shtëpi’, Lautaro: Dua që ky sezon të ketë fund të lumtur

21:43, 09/06/2023

Interi ëndërron të ngrejë në qiell Champions Leaguen në një sfidë magjike përballë Manchster Cityt në Stamboll. Skuadra zikaltër ka mundësinë të fitojë për herë të katërt kompeticionin më të rëndësishëm europian, por ndaj skuadrës angleze nuk është asgjë e lehtë.

Këtë gjë e thotë edhe Lautaro Martinez, që flet në konferencën për shtyp në prag të sfidës. Ylli argjentinas, ka mundësinë që ta kurorëzojë vitin në mënyrë fantastike, ku pas titullit kampion bote me Argjentinën, mund të ngrihet edhe në podiumin më të lartë të Europës.

BOTËRORI DHE CHAMPIONSI- “Janë dy finale të rëndësishme për një futbollist, ku ndryshon vetëm fanella sepse ndjesitë janë të njëjtat dhe janë unike. Ardhja deri këtu falë punës dhe grupit është gjëja më interesante. Jemi në hapin tonë të fundit dhe duhet të jemi të gatshëm sepse është shumë e rëndësishme për ne, klubin dhe të gjithë popullin zikaltër.”

QASJA MENTALE NDAJ NDESHJES- “E dimë që City është një kundërshtar i vështirë për ta përballur, për individët dhe për grupin, por ne jemi gati të kundërsulmojmë. Jemi përgatitur mirë dhe kemi ende edhe dy stërvitje për të punuar me detajet. Më pas do të jetë ndeshja dhe do të japim gjithçka në fushë.”

VITI MË I MIRË I JETËS- “Ka qenë pozitiv për mua dhe për familjen time, si nga ana futbollistike ashtu edhe personale. Jam shumë i lumtur dhe i emocionuar për këtë sezon. Jam i lumtur me si kanë ecur gjërat dhe shpresoj të mbyllet me një fund të lumtur.”

GJENDJA FIZIKE- “Dëmtimin e kam hedhur pas krahëve. Ka qenë një sezon intensivë dhe para Kupës së Botës ndjeja dhimbje. Tani jam rikuperuar. Kam folur edhe me trajnerin Scaloni që më ka dhënë mundësinë të pushojë kur më është dashur.”

NJË FINALE SI KAMPION BOTE- “Kjo ndeshje do të thotë shumë për mua dhe për skuadrën, sepse ishte një nga objektivat që kemi pasur. Ishim në një grup të vështirë me Bayernin dhe Barcelonën, më pas Porto, Benfica dhe Milani. Jemi këtu me meritën tonë, falë punës që kemi bërë me trajnerin. Jam përmirësuar shumë çdo ditë, ndjej shumë përgjegjësi sepse jam këtu prej pesë vitesh, por jam i sigurt që të gjithë shokët e skuadrës do të jenë gati për këtë ndeshje.”

CITY E KA DOMOSDOSHMËRI TROFEUN, NDËRSA INTERI NJË ËNDËRR? “Nuk e di nëse për ata është një domosdoshmëri ky trofe, por ne shpresojmë ta sjellim trofeun në Milano. Shpresoj të luaj një finale të madhe, të fitojmë dhe të sjellim kupën në shtëpi. Për ne është një ëndërr, e vështirë për t’u realizuar, por kemi punuar shumë për të arritur deri këtu.”

PRITSHMËRITË- “Personaliteti nuk duhet të mungojë kurrsesi, duhet të kemi zemër dhe dëshirë për të fituar. Pres këtë gjë dhe atë çfarë kemi bërë në vitet e fundit, ku kemi sjellë në shtëpi trofe të ndryshëm. Kemi mundësinë të sjellin në shtëpi një trofe që mungon prej shumë vitesh.”

LAUTARO PAS MILITOS- “E di se çfarë ka bërë Milito në këtë klub dhe çfarë ka bërë në finale. Jam krenar që jam pjesë e kësaj skuadre dhe kam mundësinë të luaj në një finale të madhe. Shpresoj të bëj diçka siç e ka bërë ai”, tha ndër të tjera Lautaro Martinez.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco