U-17/ Bulku analizon paraqitjen e kuqezinjve në Elite Round: Ishim shumë pranë kualifikimit në finale

U-17/ Bulku analizon paraqitjen e kuqezinjve në Elite Round: Ishim shumë pranë kualifikimit në finale

18:26, 01/04/2023

Shqipëria U-17 bëri një paraqitje mjaft të mirë në fazën Elite Round të Europianit 2023, duke qenë shumë pranë kualifikimit për në fazën finalen, edhe pse ishte shortuar në një grup të vështirë.

Kuqezinjtë e drejtuar nga Ervin Bulku u mundën në ndeshjen hapëse ndaj Francës, kampiones në fuqi të Europës, por bënë dy ndeshje shumë të mira ndaj Zvicrës dhe Letonisë.

Dy barazime në shifrat 1-1 e megjithatë ka keqardhje për faktin se Shqipëria U-17 ishte në të dyja rastet në avantazh dhe nuk arriti të ruajë avantazhin, teksa me 3 pikë të arkëtuara në njërën nga këto dy ndeshje do të sillnin kualifikimin për herë të parë në finalet e një Europianit të grup-moshës U-17.

Trajneri Bulku shprehet se shkalla e vështirësisë është e lartë në Elitë Round, teksa analizoi paraqitjen e skuadrës së tij në të treja ndeshjet e grupit, duke pohuar se skuadra bëri maksimumin për të siguruar një kualifikim që do të ishte historik.

“Elite Round është një nivel tjetër, nuk është si ndeshjet e fazës kualifikuese ku marrin pjesë 55 skuadra, por janë 32 skuadrat më të mira të Europës dhe përballë kishim një kundërshtar si Franca, që është kampionia në fuqi e Europës. Mendoj se është nivel tjetër krahasuar me tre ekipet e tjera në grup, e duke parë emocionet që shfaqën djemtë në ndeshjen e parë, nuk arritën të dalin në lojën që ne prisnim apo në lojën që kanë bërë gjatë dy viteve të fundit, ku kanë treguar shumë vlera e jo më kot kemi ardhur deri në Elite Round.

Me Zvicrën kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë, ku në pjesën më të madhe të kohës kemi qenë superior ndaj rivalëve dhe mund ta kishim fituar ndeshjen, duke e mbyllur që në pjesën e parë me një rezultat 2-0, por arritëm sepse futbolli i tillë është.

Gjithsesi, mendoj se deri në minutat e fundit kemi superior dhe në minutat e fundit kemi pasur mundësi që të kalojmë në avantazh për të marrë tre pikët e para dhe me ato tre pikë mbase do të ishim sot në finalet e Europianit në Hungari”, – thotë Bulku në prononcimin e tij për Fshf.org.

Sakaq, tekniku kuqezi tregon punën e mirë që është bërë gjatë tre kompeticioneve të fundit për këtë grup-moshë, ndërsa shton se kërkesat për rezultatet pozitive janë gjithmonë e më të larta nga ana e stafit teknik dhe Drejtorisë Teknike.

“Ne si staf së bashku me Drejtorinë Teknike nuk kënaqemi kurrë, sepse punojmë gjithë kohës, vijmë çdo ditë këtu, komunikojmë me lojtarët, me stafet e ekipeve ku aktivizohen lojtarët, japim programe individuale për lojtarë të veçantë, ndjekim çdo javë ndeshje, komunikojmë me to për çdo problem, brenda dhe jashtë fushe, që lojtarët të ndihen sa më mirë kur të vijnë në ekipin Kombëtar, sepse koha në dispozicion është gjithmonë shumë e shkurtër.

Brenda një jave nuk ke mundësi dhe kohë që të rrisësh tre komponentët siç janë fizik, teknik dhe taktik. Nuk mund të bësh shumë brenda një jave dhe ne e dimë tashmë që ne kemi shumë lojtarë nga e gjithë Europa dhe nuk është e lehtë që kur të jenë bashkë të krijosh filozofinë dhe gjithçka çfarë i duhet një skuadre për të arritur rezultate pozitive dhe për të shkuar atje ku ne mendojmë.

Të paktën për këtë grup-moshë që po flasim kemi një skuadër që luan bashkë për tre kompeticione zyrtare, siç ishte UEFA Development, ku kemi fituar të treja ndeshjet me golavarazh shumë të mirë 10-2 dhe në kualifikueset e Europianit jemi mundur vetëm në një ndeshje kundër Kroacisë, duke pësuar gol në minutën e 93-të. Për të kaluar më pas te Elite Round, ku e vetmja skuadër na mundi ishte Franca, kampionia e Europës në fuqi”, – vijon Bulku, ndërkohë që nënvizon se gjendja jo e mirë e disa prej lojtarëve kryesorë për shkak të problemeve fizike ndikoi në oshilacionet që shfaqi skuadra gjatë tre ndeshjeve. Gjithsesi, trajneri i Kombëtares U-17 vlerëson maksimalisht impenjimin dhe harmoninë që ka ky grup që sipas tij premton shumë.

“Mendoj që janë rezultate shumë të mira për këtë grup-moshë dhe për këtë skuadër. Kjo nuk është aspak rastësi, sepse ne kemi tre vjet që punojmë bashkë, kemi në harmoni të jashtëzakonshme në grup, japin gjithçka në fushë, por ajo që na penalizoi e që nuk arritëm të kalonim mes 16 më të mirave të Europës ishte gjendja jo e mirë e 3-4 lojtarëve tanë, të cilët janë lojtarë kryesorë. Lojtarë që sapo ishin rikuperuar nga problemet fizike, si Jaku që vinte pas një dëmtimi tre javë para turneut dhe kemi bërë maksimumin për ta pasur në gjendje sa më optimale.

Gjithashtu, Bode apo edhe Kurti, i cili stërvitet me ekipin e parë të Sampdorias, por për çështje dokumentacioni nuk ka minuta të plota në ndeshjet zyrtare me ekipin U-19 italian. Edhe Damini po ashtu vjen pas një dëmtimi dhe mendoj se gjendja jo e mirë fizike e lojtarëve ndikuan në oshilacionet që skuadra shfaqi sidomos në ndeshjen e tretëm duke parë që gjendja fizike nuk ishte më e mira dhe lojtarët morën shumë kartonë të verdhë në dy ndeshjet e para”, – thotë trajneri, teksa është i bindur se disa prej elementëve të kësaj grup-moshe kanë perspektivë për të vazhduar edhe më tej rrugëtimin e tyre kuqezi.

“Është normale që një lojtar kur nuk është në kondicionin e tij fizik më të mirë mund të bëjë edhe ndërhyrje që me formën e duhur fizike ndoshta nuk do t’i bënte. Them se skuadra ka bërë maksimumin, ka dhënë gjithçka por ne nuk kënaqemi sepse kishim dëshirë të merrnim rezultate më të mira dhe të kualifikoheshim për në finale.

Dy lojtarë nga ky grup kanë qenë edhe vitin e kaluar pjesë e Kombëtares U-19, por mendoj që pjesa dërrmuese e kësaj grup-moshe do të jenë pjesë e ekipeve zinxhir të moshave dhe besoj se të paktën 3-4 lojtarë nëse do të vazhdojnë të punojnë siç kanë bërë deri më tani, mund t’i shohim edhe në kombëtaren A”, – theksoi Ervin Bulku.

Shqipëria U-17 e mbylli Elite Round në vendin e tretë të Grupit 8 me 2 pikë të grumbulluara nga tre ndeshjet.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco