‘Fair Play’ trondit PSG-në, Mesi drejt largimit...?

‘Fair Play’ trondit PSG-në, Mesi drejt largimit...?

20:21, 31/03/2023

Gazeta franceze “L’Equipe” ka ngritur pikëpyetje serioze në lidhje me vazhdimësinë e Lionel Mesit në radhët e Paris SG-së.

Pikërisht kur në Paris po bëhet e pamundura për të bindur kampionin e botës me Argjentinën për të rinovuar kontratën me francezët deri në vitin 2024, ka ardhur dhe “bomba”.

Klubi kampion në Francë do ta ketë shumë të vështirë për të mbajtur Mesin në ekip për shkak të problemeve me financat.

Natyrisht që nuk bëhet fjalë për pamundësi financiare të francezëve për të paguar Leon, por problemi i tyre lidhet me rregullat e vendosura nga UEFA për “Fair Play Financiar”.

Duke qenë se paga e tij është ndër më të lartat, duke iu bashkuar atyre të Neymarit dhe Mbapesë, do të tejkalonte limitet e caktuara për klubin parisien.

Lionel Mesi nuk është i vetmi problem për Paris SG-në për sa u përket limiteve të imponuara nga UEFA.

Në të njëjtën situatë, klubi ndodhet edhe me mbrojtësin Serxho Ramos, kontrata e të cilit me Parisin përfundon gjithashtu në fund të këtij sezoni.

Mbrojtësi spanjoll, duket se ka kapur ritmet e tij në këtë sezon në Paris, por nëse do ta ketë të pamundur të vijojë pikërisht për shkak të “Fair Play Financiar”, ai është gati të udhëtojë drejt Arabisë për t’iu bashkuar Al Hilalit, rivalit më të fortë të Al Nasr të Kristiano Ronaldos.

Mediat spanjolle dhe ato franceze kanë saktësuar se Al-Hilal është gati t’i ofrojë një pagesë prej 30 milionë eurosh në sezon për të firmosur në Arabi, ofertë që po e tundon jo pak veteranin.

Duke iu kthyer Mesit, nëse PSG-ja do ta ketë të pamundur për të mbajtur Mesin në skuadër, për argjentinasin do të çeleshin disa mundësi.

Kthimi te Barcelona, transferimi në SHBA tek Inter Majami apo në Arabinë Saudite tek Al-Hilal janë të gjitha opsione në tavolinë.

Në Barcelonë, tifozët ëndërrojnë, por klubi katalanas e di fare mirë dhe e ka të pamundur të paguajë Mesin.

Barçës i duhet të bëjë shumë manovra financiare për të siguruar pagesën e Mesit dhe të qëndrojnë brenda limiteve të pagave që i ka imponuar liga spanjolle.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco