'Presim një Poloni të plagosur rëndë', Duka flet nga Varshava: Besoj te fitorja, nuk e them kot

'Presim një Poloni të plagosur rëndë', Duka flet nga Varshava: Besoj te fitorja, nuk e them kot

22:11, 26/03/2023

Shqipëria do të masë forcën mbrëmjen e nesërme në duelin ndaj Polonisë, të vlefshëm për kualifikueset e Europianit. Kuqezinjtë e Silvinjos do të tentojnë ta nisin me një rezultat pozitiv këtë aventurë të re.

Në lidhje me këtë duel foli edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, që në një prononcim për mikrofonin e “Supersport” nga Varshava, tregoi ambiciet e kësaj Kombëtareje dhe përshtypjet e para nga trajneri Silvinjo.

PËRGATITJET- Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka mirë. Mendoj që kemi bërë mirë. Ekipi është i përgatitur, të presim fushën e lojës nesër. Futbolli nuk është një shkencë ekzakte. Është një lojë e cila mund të të nderojë edhe duke mos luajtur mirë. Ose edhe mund të mos japë rezultat duke luajtur mirë. Por, unë uroj të kemi rezultat, pavarësisht si do të luajmë.

SILVINJO- Impenjim maksimal nga Silvinjo dhe stafi i tij. Atmosferë shumë pozitive nga gjithë ekipi. Dëshirë e shtuar krahasimisht me edicionin që mbyllëm vitin e kaluar. Vërtetë një atmosferë ndryshe, një atmosferë shumë e bukur.

Mbase edhe diferenca e vogël e moshës mes stafit dhe lojtarëve bën që të shkrihen akoma më mirë dhe të sjellin energji pozitive në skuadër. Shoh një dëshirë maksimale, jo dëshirë pa baza. Dëshirë me baza që mund të bëjmë diçka. Të gjithë e kuptojnë që mund të arrihet në rezultate pozitive me shumë punë, pasi kundërshtarët janë të gjithë të fortë.

FRYMA? Në futboll duhet të hysh për maksimumin në çdo ndeshje. Me këtë objektiv jemi edhe nesër në Varshavë. Për të fituar ndeshjen, pavarësisht se çfarë prodhon ndeshja. Në çdo kompeticion luhet për t’u kualifikuar. Nuk duam ta pompojmë, por kemi realisht një skuadër e cila mund të konkurrojë dhe mund të arrijë në Euro 2024. I ka të gjithë mundësitë, ka kualitet, ka kushte fantastike në ‘Shtëpinë e Futbollit’. Ka kushtet më të mira, ose njësoj me skuadrat e tjerë.

Një organizim dhe staf shumë i mirë, futbollistë kualitativë, kështu që mund të arrijmë kualifikimin. Jemi favoritë për t’u kualifikuar, por le të shohim. Nuk janë kundërshtarë vetëm Polonia dhe Çekia. Duhet të kemi shumë kujdes, kundërshtarë janë të gjithë, por të përqendrohemi shumë te ndeshja e nesërme. Humbja e Polonisë ndaj Çekisë nuk është favorizuese për ne.

Ai rezultat e bën akoma më shumë agresive Poloninë, i bën të kenë vlerësim maksimal ndaj nesh. Tani presim një Poloni të plagosur rëndë, e cila do të kërkojë të rikuperohet ndaj nesh. Ne duhet të jemi të zgjuar, të menaxhojmë situatën dhe ta kthejmë në favorin tonë.

I KËNAQUR ME BARAZIM? Nuk di të them, realisht më pëlqen të fitoj. Çdokujt i pëlqen të fitojë. Besoj vërtetë në fitore, nuk e them kot. Por do të di ta përjetoj çdo rezultat që do të japë fusha. Do të gëzohemi shumë nëse fitojmë. I pranueshëm do të ishte edhe barazimi. Edhe nëse nuk arrijmë asnjë nga këto, rruga është e gjatë. Uroj të arrijmë fitoren“, deklaroi Duka.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco