Florentino Perez nuk do të ndjek ‘El Clasico-n’ në ‘Camp Nou’

Florentino Perez nuk do të ndjek ‘El Clasico-n’ në ‘Camp Nou’

15:45, 19/03/2023

Për arsye sigurie, presidenti i Real Madridit, Florentino Perez nuk do të jetë në stadiumin “Camp Nou” për të ndjekur “El Clasico-n” kundër Barcelonës.

Ky do të jetë dueli i parë mes dy klubeve që kur Prokuroria e Spanjës ngriti akuza ndaj Barcelonës për “çështjen Negreira” dhe edhe pse fillimisht nuk ndërhyri, në fund Reali u përfshi në gjithçka, gjë që rezultoi në tensionim të situatës.

“Ne do të mbrohemi dhe do të sulmojmë”, tha Joan Laporta para ndeshjes, duke inkurajuar kështu turmën e tifozëve që ta mbajnë Real Madridin “në shenjë”. Mediat spanjolle shkruajnë se nuk ka dyshim se atmosfera ndaj lojtarëve të Klubit Mbretëror do të jetë tërësisht armiqësore.

Për këtë arsye, Florentino Perez nuk do të jetë në Camp Nou dhe El Mundo shton se kjo do të jetë hera e parë në kushte normale që presidenti i Realit nuk do të shfaqet në stadiumin e katalanasve.

“Presidenti, i cili nuk mungoi në debutimin e Luis Figos pas nënshkrimit për Realin, as ndeshjen e parë pas pandemisë dhe u ul në ndenjëse me maskë, tani do të qëndrojë në kryeqytetin e Spanjës”, shkruan El Mundo.

Me këtë vendim, duke e cilësuar si “historik”, mediat spanjolle pretendojnë se Reali nuk dëshiron të rrisë më tej tensionin mes dy klubeve, ndonëse Joan Laporta theksoi qartë në deklaratat e tij të mëparshme se fushata që po zhvillohet aktualisht kundër klubit “nuk është aksidentale".

Reali dhe Barcelona prej vitesh janë në një marrëdhënie të shkëlqyer për shkak të Superligës, por pas ngritjes së aktakuzës ndaj skuadrës katalanase, gjithçka u shemb si një shtëpi letrash.

Prokuroria e Spanjës akuzoi Barcelonën për korrupsion pasi klubi katalanas ka paguar kompaninë e ish-zv.presidentit të komitetit spanjoll të arbitrave për vite me radhë, dmth ata akuzohen se i kanë paguar 8.4 milionë euro nga viti 2001 deri në vitin 2018 Jose Maria Enriquez Negreira-s.

Akuzat që janë ngritur i referohen dy presidentëve të Barcelonës - Sandro Rosell (2010-2014) dhe Josep Bartomeu (2014-2020).

Prokurorët ngritën tre akuza kundër Barcelonës - korrupsion në sport, keqadministrim dhe falsifikim dokumentesh.

 

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco