Tebas bën deklaratën e fortë: Merkatoja e Barçës është përsëri e bllokuar

Tebas bën deklaratën e fortë: Merkatoja e Barçës është përsëri e bllokuar

13:48, 03/03/2023

Barcelona rrezikon një bllokim të dytë merkatoje ashtu siç i ndodhi verën e shkuar, për shkak të paaftësisë së tyre për të frenuar rritjen e kostove të pagave.

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, konfirmoi edhe njëherë se gjigantët katalanas, në kushtet aktuale nuk mund të bëjnë merkato hyrëse në verë. Skuadra e Laportës ka shpenzuar pa kriter gjatë viteve të fundit dhe u përpoq sezonin e shkuar që të ekuilibrojë bilancet e saj, duke shitur të drejtën televizive dhe një pjesë të aksioneve të klubit. Por një masë e tillë i shpëtoi ata vetëm provizorisht.

Duke folur nga një takim i “Financial Times Business” në Londër, Tebas konfirmoi: “Sot që flasim, Barcelona nuk ka asnjë hapësirë në buxhetin e saj për të shpenzuar në merkaton e ardhshme. Ata janë përfshirë në një sjellje të dyshimtë, e cila ka pasur një ndikim në La Liga dhe ne po veprojmë në përputhje me rrethanat. Ne kemi vendosur që ata nuk mund të transferojnë më lojtarë. Ata shitën 700 milionë euro të të drejtave televizive dhe provuan që të gjenin mënyra të ndryshme për të zgjidhur situatën. Por ata nuk do të jenë në gjendje që të bëjnë merkato sezonin e ardhshëm. Ne kemi kontrolle strikte ekonomike. Në fund të çdo dritareje merkatoje, ne u themi të gjitha klubeve të La Ligës se çfarë ata mund të shpenzojnë. Dhe në rastin e Barcelonës, ata duhet të ulin shpenzimet për pagat dhe transferimet nga 650 milionë euro në 450 milionë euro, flasim për një buxhet minus 200 milionë euro. Ata duhet të ulin shpenzimet për investimet për lojtarë të rinj dhe ne i kemi inkurajuar që të shesin lojtarë, sepse për çdo shumë që ata përfitojnë nga shitjet, mund të shpenzojnë 40% të saj”.

Tebas komentoi edhe skandalin e përfolur për korrupsionin me arbitrat, ku është përfshirë emri i gjigantëve katalanas: “Nuk ka rëndësi që është emri i Barcelonës. Por ka të bëjë me reputacionin e La Ligës si kompeticion. Kjo është një çështje shumë serioze. Statuti i parashkrimit ka mbaruar, por ne po veprojmë në lidhje me pjesën e shkeljeve kriminale të gjërave. Dhe Barcelona ka shumë për të shpjeguar në lidhje me ato pagesa”.


 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco