Burim Kukeli, një trajner i formuar në kurset e FSHF po ngjit shkallët e karrierës në Zvicër

Burim Kukeli, një trajner i formuar në kurset e FSHF po ngjit shkallët e karrierës në Zvicër

10:25, 06/02/2023

Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares, Burim Kukeli është një produkt i shkollës së trajnerëve të FSHF-së dhe pasi kaloi të gjitha nivelet e kurseve të nevojshme në qershor të vitit të kaluar ai mori licencën UEFA Pro.

Një licencë që i jep mundësi të drejtojë skuadrat e nivelit më të lartë kudo në Europë dhe botë.

Pa humbur kohë pasi u tërhoq nga futbollit aktiv dhe me kualifikimin e duhur tashmë, Kukeli nisi karrierën e re të trajnerit në Zvicër, aty ku ai jeton prej shumë vitesh.

Fillimisht ai e nisi si zv.trajner i SC Kriens e më pas te FC Wil 1900, FC Sion dhe në fillim të këtij viti Kukeli bëri një tjetër hap të rëndësishëm pasi iu besua detyra e trajnerit të parë te Grasshoper Zyrih U-21.

Në një prononcim për Fshf.org, ish-futbollisti i njohur i Kombëtares tregon për ecurinë e tij si trajner në Zvicër, por edhe eksperiencën e tij në shkollën e trajnerëve të FSHF.

“Kam nisur aventurën e re me 10 janar 2023 si trajner i parë i Grasshoppers Club Zürich U-21. Jam shumë i lumtur për këtë eksperiencë dhe deri tani gjithçka po shkon shumë mirë. Puna si trajner sigurisht që është intensive, por edhe shumë e bukur. Kam qenë gati pesë vite në rolin e zëvendës-trajnerit dhe tani jam shumë i kënaqur që më ka ardhur mundësia të jem trajner i parë”, thotë Kukeli, teksa thekson se është mjaft i kënaqur për nivelin e kurseve që ofron FSHF për trajnerët.

“Unë e nisa shkollimin si trajner fillimisht në Zvicër dhe më pas vijova të frekuentoj kursin e FSHF-së në Shqipëri për të arritur deri te licenca UEFA Pro. Kështu që kam parë se si punohet në këtë drejtim qoftë në Federatën e Zvicrës e qoftë në Federatën Shqiptare të Futbollit dhe mund të them se niveli ka qenë shumë i mirë dhe kam mësuar shumë nga kjo shkollë”, – vijon Kukeli.

“Kursi për licencën UEFA Pro me FSHF-në ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, është kursi i parë që unë kam bërë në gjuhën shqipe, pasi jam rritur në Zvicër. Kemi pasur shumë leksione, kemi punuar me metodologji që mua më kanë pëlqyer shumë dhe kam mundur të mësoj gjëra të ndryshme dhe të rëndësishme. I vlerësoj maksimalisht lektorët dhe aspektin organizativ, kanë qenë shumë të përgatitur dhe profesionistë në punën e tyre dhe i falënderoj shumë për gjithçka bëjnë për shkollimin e trajnerëve të rinj”.

Gjithashtu, ish-mesfushori vlerëson edhe përfundimin e kompleksit të Shtëpisë së Futbollit, që do t’i jap një ndihmesë të madhe edhe shkollës së trajnerëve pasi tashmë ofron të gjitha facilitetet e nevojshme në aspektin e infrastrukturës për zhvillimin e futbollit.

“Mendoj se është me rëndësi që kurset tashmë zhvillohen në ambientet e reja të Shtëpisë së Futbollit, një vepër e shkëlqyer infrastrukturore që ofron të gjitha mundësitë më të përshtatshme teknike dhe teknologjike. Besoj se tashmë kompleksi i përfunduar, përveçse për ekipet Kombëtare të moshave, do të jetë në dispozicion edhe për trajnerët e rij të dalë nga shkolla e trajnerëve”, – shton Kukeli.

Në fund, si një trajner shqiptar, i licencuar nga shkolla e trajnerëve të FSHF e që tashmë punon në Europë, ai ka edhe një mesazh për të gjithë të diplomuarit e shkollës së trajnerëve.

“Së pari ju uroj të gjithëve suksese në punën e tyre. Ju uroj të japin më të mirën nga vetja që të jenë shembull për të rinjtë, njerëzit që e duan sportin e pse jo edhe një motivim për trajnerët e rinj”, – përfundon Burim Kukeli prononcimin e tij të Fshf.org.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco