'Në Ukrainë rreziku i luftës ekziston', Toli: Partizani i fortë, Tirana mbron titullin kampion!

'Në Ukrainë rreziku i luftës ekziston', Toli: Partizani i fortë, Tirana mbron titullin kampion!

13:42, 16/10/2022

Ardit Toli është i bindur që Tirana do të dalë kampione. Paçka se parashikon që Partizani është i fortë, Tirana do të përsërisë titullin. Në një intervistë për “Panorama Sport”, lideri i vjetshëm i mesfushës, flet nga Ukraina. Thotë se situata nuk është e mirë, por ai dhe shokët janë të sigurt. Ardit Toli në fund të sezonit të shkuar nuk pranoi që kishte edhe një vit kontratë dhe erdhi në grumbullimin e Tiranës, ditën e nisjes së Champions-it. Historia mes tij dhe Tiranës ishte e thjeshtë. Toli pretendonte se kishte firmosur një kontratë dyvjeçare, ndërsa Tirana pretendonte se kishte një kontratë 2+1 me opsionin që bardheblutë brenda një kohe të caktuar mund të aktivizojnë rinovimin. Toli tha “jo” dhe çështja u zgjidh në momentin që u shit Taulant Seferi, sepse mesfushori kishte kaluar te Vorskla Poltava.

Si po shkon aventura në Ukrainë?

Ishte një aventurë e re. Kisha shumë dëshirë të provoja një eksperiencë të re. Në fillim e nisëm keq kampionatin me Vorsklën, por dy ndeshjet e fundit kemi fituar. Besoj se do të vazhdojë kështu ekipi. Diçka ka ndryshuar në skuadrën tonë. Klima në skuadër pas fitoreve në sfidat e fundit është më e mirë. Pas ndalesës së kombëtareve skuadra jonë ndryshoi për mirë.

Asist, fitore dhe gol Seferi?

Për sa i përket asistit që dhashë ndeshjen e fundit, m’u bë shumë qejfi si për veten, për Seferin dhe skuadrën. U gëzuam të dy për fitoren e skuadrës. Të dy e kërkonim këtë fitore me patjetër, pasi ne ishim bashkuar me skuadrën këtë verë.

Si është tani gjendja në Ukrainë?

Në këtë Ukrainë tani është pak rrezik. Ka edhe pak frikë, por në vendin që qëndrojmë ne situata është më e sigurt. Besoj që lufta dhe situata dramatike si në qytetet e tjera të Ukrainës nuk do të vijnë afër nesh.

Një koloni e vogël shqiptarësh te Vorskla?

Bashkë jemi tre vetë: unë, Totre dhe Seferi. Është diçka e mirë, sepse çdo fillim është i vështirë, por kur ke njerëzit e tu dhe të duhur është fantastike. Për mirë a keq, ne kemi njëri-tjetrin.

E keni parë Tiranën këto kohë?

Sa herë që kemi mundësi, unë, Totre dhe Seferi e shohim Tiranën. Komentojmë çdo detaj të ndeshjeve dhe më pas ua bëjmë të qartë edhe atyre në Shqipëri.

Mund ta fitojë titullin?

Jam i bindur që Tirana ka mundësi dhe organikën e nevojshme për të mbrojtur titullin kampion. Ka lojtarë me kualitet dhe pika shumë të forta. Kanë eksperiencë në Superiore dhe mund t’ia dalin. Ama po shohim që edhe Partizani është në formë të mirë, por jo më të mirë se Tirana. Bardheblutë jam i bindur që e rifitojnë titullin kampion.

Pse ikët nga bardheblutë?

Dua ta kaloj këtë pyetje…

Miku juaj, Marseli, tani është kapiten?

Për Ismajlgecin më bëhet qejfi që është kapiten. Është shumë djalë i mirë dhe me karakter të fortë që i duhet skuadrës në fushë. Më bëhet shumë qejfi, sepse është një djalë që e do shumë Tiranën. Luan me këtë skuadër që tek akademitë. Është i duhuri për të drejtuar skuadrën drejt titullit së bashku me të tjerë.

Një mendim për kampionatin shqiptar?

Kampionati shqiptar ka kualitet. Tani e shohim dhe e krahasojmë me kampionatet e huaja dhe nuk është i dobët. Mund të përmirësohet akoma më shumë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco