Asllani i pafat në debutimin si titullar, Interi gjunjëzohet nga Roma brenda në ‘San Siro’

Asllani i pafat në debutimin si titullar, Interi gjunjëzohet nga Roma brenda në ‘San Siro’

20:05, 01/10/2022

Interi zyrtarisht në krizë. Zikaltrit pësojnë humbjen e katërt në 8 ndeshje të kampionatit, teksa pasditen e sotme janë mposhtur me rezultatin 1-2 nga Roma.

Në “San Siro” të gjithë prisnin kthesën e madhe, por skuadra e Inzaghit bëri sërish të njëjtin gabim, pasi ashtu si ndaj Milanit e Udineses, kaloi e para në avantazh dhe në fund doli pa pikë.

Dimarco zhbllokoi sfidën pas një aksioni mjaft të bukur, megjithatë më pas ishte Dybala ai që riktheu baraspeshën, me një goditje spektakolare, që u ndihmua edhe nga një mefshtësi e Handanovic.

Pjesa e dytë solli një Inter mjaft kërkues, teksa Calhanoglu goditi traversën dhe Asllani gjeti rrjetën e jashtme, duke qenë pa fat në debutimin e tij si titullar.

Megjithatë në momentin më të mirë të zikaltërve, ishte Roma që shënoi edhe golin e dytë me Smalling, që u harrua i vetëm në shtyllën e dytë.

Inzaghi provon gjithçka në minutat e fundit, duke ndryshuar edhe skemën, por për të nervozuar zikaltrit mendon edhe arbitri, që në jo pak raste vërshëllen me disa sekonda vonesë, duke provokuar reagimin e ashpër të milanezëve.

Vërshëllima finale la në fuqi fitoren e Romës 1-2, teksa nota e vetme pozitive e Interit është vetëm Kristjan Asllani, i cili luajti për herë të parë si titullar dhe qëndroi në fushë për plot 80 minuta, duke treguar një saktësi 98% në pasime, rikuperuar disa topa dhe madje “flirtuar” me golin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco