Kastrioti mendon për Superioren, trajneri Çela projekton rrotacion ndaj Vorës

Kastrioti mendon për Superioren, trajneri Çela projekton rrotacion ndaj Vorës

17:41, 24/09/2022

Kastrioti dhe Vora janë dakordësuar për ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë, e cila qe planifikuar për t’u zhvilluar në Vorë, por klubet kanë rënë dakord që kjo ndeshje të zhvillohet në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës me Kastriotin si vendës.

Krahas ndryshimit të fushës, është ndryshuar dhe dita e ndeshjes, e cila do të zhvillohet të hënën e 26 shtatorit dhe jo të mërkurën, më 28 shtator. Normalisht ky spostim ka të bëjë edhe me faktin që Kastrioti do të luajë të shtunën në kampionat ndaj Egnatias.

Trajneri Emiliano Çela gjatë ditës së djeshme ka punuar intensivisht me të gjithë grupin, ndërsa në Kupë pritet që t’u jepen më shumë hapësira lojtarëve që në kampionat nuk kanë pasur shansin të tregojnë vlerat e tyre për shkak të minutave të pakta. Ashtu si në vitet e shkuara, Kupa pritet të jetë në plan të dytë, pasi fokusi kryesor është te kampionati, në të cilin krutanët deri më tani kanë arritur të marrin dy barazime, një fitore dhe kanë pësuar dy humbje, duke grumbulluar 5 pikë në po aq javë.

Kalendari i kampionatit në këtë fazë nuk ka qenë edhe aq favorizues, pasi krahas Vllaznisë, që u luajt në transfertë, edhe ndeshja e kampionatit ndaj Egnatias do të jetë sërish në transfertë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco