FSHF prezanton projektin madhor “Uniforma Ime”. Duka: Uniforma loje e stërvitje falas për...

FSHF prezanton projektin madhor “Uniforma Ime”. Duka: Uniforma loje e stërvitje falas për...

11:46, 01/07/2022

Federata Shqiptare e Futbollit ka lançuar sot përmes një ceremonie projektin e rëndësishëm “Uniforma Ime”, që parashikon ofrimin e një seti me bazë materiale falas çdo fëmije që luan futboll në gjithë Shqipërinë. Një iniciativë tejet vitale për zhvillimin e futbollit në vendin tonë, pasi Federata e Futbollit duke nisur që nga ky sezon do të garantojë për të gjithë fëmijët që luajnë futboll nga mosha U-7 e deri në moshën U-19 veshjet pa asnjë pagesë. Një set konsiston në uniformë loje, uniformë stërvitjeje, komplet tutash dhe fëshe kundra shiut për stërvitje së bashku edhe me çantën e stërvitjes.

Ceremonia e lançimit të këtij projekti madhor është zhvilluar në ambientet e aneksit të stadiumit “Niko Dovana” në Durrës, ku morën pjesë Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, drejtues akademish, trajnerë, futbollistë të rinj dhe zyrtarë të FSHF-së.

Një iniciativë që do të kushtojë 1 milion euro në sezon dhe fatura do të paguhet nga FSHF, duke ulur kështu ndjeshëm barrën e familjeve të tyre, por dhe duke i dhënë mundësi të gjithëve fëmijëve të kenë kushte më të mira për të luajtur futboll.

Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet Presidenti i FSHF-së, Armand Duka u shpreh se ky është një moment për të reflektuar, për të kuptuar rrugëtimin e gjatë e të bukur që FSHF ka bërë në drejtim të rritjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të futbollit shqiptar.

“Është vërtetë emocionuese kur sot në këtë ambient fantastik të mbushur me fëmijë, por edhe me praninë e futbollit durrsak dhe të gjithë fëmijëve të lançojmë këtë projekt, që uroj dhe jam i sigurt që do ta ndihmojë shumë zhvillimin e futbollit shqiptar. Projekti në fjalë ‘Uniforma Ime’ konsiston në pajisjen e çdo fëmije, vajza dhe djem që luajnë futboll në Shqipëri me setin e uniformës, jo vetëm të paraqitjes për ndeshje, por edhe për stërvitje dhe jashtë fushës falas. Tashmë që shoh këtë fushë me kaq shumë fëmijë e të veshur kaq bukur është vërtetë një ditë për të reflektuar dhe për të menduar se nga e kemi nisur dhe ku jemi. Po bisedoja me Haxhi Ballgjinin para pak çastesh dhe ai më tha: E kam pishman që nuk isha dhe nuk luajta futboll në këto kohë, në këto kushte kaq të mirë dhe akoma më të mira që po projektohen. Tashmë sezoni futbollistik ka përfunduar dhe përgatitemi për sezonin e ri. Të gjithë teknikët, komisionet dhe njerëzit e komunitetit të futbollit po punojnë për një reformë të re në futbollin shqiptar, një reformë e cila konsiston në rritjen e futbollit të elitës apo atij profesionist dhe në zgjerimin e gamës dhe futbollit për të gjithë”, – tha kreu i qeverisë së futbollit shqiptar, duke shtuar se detyrimet e Federatës shkojnë në shumë raste dhe përtej mundësive të saj, por të gjithë e dimë sesa e rëndësishme është për çdo nënë e baba që t’i sigurojë fëmijës së vet mundësinë për të luajtur sportin më të dashur për shqiptarët.

“Projekti që po prezantojmë jam i sigurt që do ta ndihmojë, jo vetëm futbollin profesionist por akoma më shumë atë amator. I falënderoj prindërit që janë sot këtu, i ftoj edhe ato që nuk janë këtu, që t’i sjellin fëmijët të luajnë futboll. Futbolli nuk është thjeshtë një lojë, nuk është thjeshtë një garë, nuk është thjeshtë futboll profesionist, por është edukim. Më mirë se këtu në futboll nuk do t’i edukoni në vend tjetër fëmijët tuaj. Do t’i edukoni jo vetëm sportivisht, pasi futbolli është një lojë kolektive, do të mësohen se si të jetojnë dhe të bashkëpunojnë me shoqërinë, do të mësojnë dhe do të bëhen aoma më të mirë për sfidat e të nesërmes. Ne do të punojmë pa u lodhur që t’u krijojmë fëmijëve kushte sa më të mira, të krijojmë programe sa më të mira. Kolonat kryesore të zhvillimit të futbollit janë trajningu, infrastruktura dhe baza materiale. Ne tashmë kemi një shkollë të përkryer të përgatitjes së trajnerëve, gjithashtu kemi edhe kushte të mira të pajisjeve sportive. Po punojmë pa u lodhur që të kemi një infrastrukturë akoma më të mirë, siç kemi këtë fushë në Durrës, madje i gjitha ambienti përrreth stadiumit në bashkëpunim me klubin Teuta dhe bashkinë e Durrësit do të bëhet me fusha të reja. Ne sot kemi rreth 15 mijë fëmijë në lojën tonë dhe objektivi ynë është që ta dyfishojmë këtë numër dhe kjo shifër ambicioze do të arrihet nëpërmjet këtyre projekteve. Jam krenar që çdo ditë ecim përpara dhe vendosim nga një tullë në zhvillimin e futbollit shqiptar”, – tha Presidenti i FSHF-së ndër të tjera në fjalën e tij.

Legjenda e futbollit durrsak dhe atij shqiptar, Haxhi Ballgjini vlerësoi këtë projekt të Federatës së Futbollit, që padyshim rriti cilësinë e futbollit dhe afron më shumë fëmijët me këtë sport kaq popullor.

“Është një kënaqësi shumë e madhe të jem këtu. Jemi mësuar të themi na mbushet syri, por mua sot më mbushet zemra me gëzim duke parë të gjithë këto fëmijë që kanë pasionin e madh për futbollin. Për më tepër atë që unë dhe kolegët e mi nuk e kishim, duke parë pikërisht këto uniforma sot këtu. Do të falënderoja këtë projekt gjigand të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe do ti uroja të gjithë fëmijëve që të luajnë futboll, sepse edhe kjo uniformë, edhe këto terrene kaq të mira padyshim që rrisin cilësinë sportive”, – tha Ballgjini.

 

Ndërsa, drejtuesi i Akademisë Teuta, Eduard Salillari, duke folur gjatë ceremonisë është shprehur se gjatë karrierës së tij të gjatë ka punuar shumë me fëmijë, të cilët ndjekin ëndrrat e tyre për të pasur një karrierë të madhe në futboll, dhe i njeh vështirësitë e shumta që akademitë dhe fëmijët kanë.

“Dua të falënderoj shumë FSHF-në, që bëri të mundur që fëmijët tanë kurdo, por edhe në Akademinë Teuta të kenë mundësi të pajisen me setin sportiv, që të them të drejtën është një kosto e madhe për futbollin. E di shumë mirë se çfarë vështirësie është për familjet që të kenë një ndihmë për fëmijët e tyre që të vazhdojnë sportin dhe kjo është një ndihmë shumë e madhe. Uroj të gjithë fëmijët për një sezon të mirë dhe rezultativ vitin e ardhshëm, gjithashtu edhe trajnerët që janë prezentë këtu”, – tha Salillari.

Në këtë ceremoni mbajti një fjalë edhe prindi i një fëmije që luan futboll, duke vlerësuar kontributin e FSHF-së që ka një impakt të çmuar në buxhetin e çdo familjeje, fëmijët e të cilës merren me sportin më të dashur në Shqipëri. Sonila Osman foli për vështirësitë e mëdha që kanë prindërit, duke pasur parasysh edhe problemet sociale dhe vullnetin që të gjithë kanë për t’ia plotësuar dëshirat fëmijëve që duan të merren me sport.

Ky ëhstë një projekt shumë i rëndësishëm, pasi përfshin dhënien e uniformave sportive falas për të gjithë fëmijët që luajnë futboll. E konsideroj goxha të rëndësishëm si projekt, jo vetëm për fëmijët tanë, që luajnë futboll, por edhe për ne si prindër. Është fakt që jo të gjithë prindërit arrijnë ta përballojnë nga ana ekonomike angazhimin e fëmijëve të tyre në sporte të ndryshme, sidomos në futboll. Prandaj kjo do të jetë një ndihmë shumë e madhe për prindërit nga ana ekonomike, sidomos për prindërit që kanë disa fëmijë”, – tha Osmani.

Projekti më i ri i FSHF-së do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në mbi rreth 15.000 familje shqiptare, fëmijët e të cilëve merren me futboll. Dhënia falas e uniformave për të gjithë fëmijët që luajnë futboll, duke nisur nga sezoni i ri, pritet të ndikojë edhe në afrimin e më shumë djemve dhe vajzave në botën magjike të futbollit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco