Në Lojërat Mesdhetare me petkun e kampionit të Europës, Erkand Qerimaj: Futem për medalje!

Në Lojërat Mesdhetare me petkun e kampionit të Europës, Erkand Qerimaj: Futem për medalje!

13:47, 24/06/2022

Peshëngritja mbetet absolutisht një nga sportet me pritshmëritë më të larta të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare dhe e tillë do të jetë edhe në Lojërat Mesdhetare që do të mbahen në Oran të Algjerisë nga data 25 qershor deri më 6 korrik.

Image

Në prag të këtij evenimenti “Panorama Sport” ka folur me Erkand Qerimajn, kampionin e freskët të Europës. Peshëngritësi shkodran, i cili prej dy dekadash është një garanci rezultatesh dhe medaljesh për Shqipërinë, tregon synimet e tij në “Oran 2022”, ku do të kërkojë të përsërisë suksesin e Peskarës. Qerimaj rikthehet të flasë edhe një herë për ndryshimin e peshës, duke e konsideruar një zgjedhje të zgjuar, teksa sqaron se garimi në peshën 81 kg ka qenë i gabuar për të, pasi tashmë në peshën 73 kg trupi i tij përbëhet vetëm me masë muskulore.

 

Edhe pak ditë na ndajnë nga Lojërat Mesdhetare, si vjen Erkand Qerimaj në këtë aktivitet?

Pas Kampionatit Europian bëra disa ditë pushim dhe tani po përgatitem çdo ditë për Lojërat Mesdhetare. Shpresoj që të kem një formë shumë të mirë edhe atje dhe të arrij maksimumin në garë, pra të bëj më të mirën. Çdo ditë stërvitja është në rritje dhe shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë.

Si paraqitet forma juaj?

Siç ju thashë, forma ime po vjen në rritje, pasi stërvitjet po vijojnë çdo ditë. Në testet që kam bërë në stërvitje, rezultatet e mia kanë qenë gjithnjë në përmirësim.

Sa ndikon në aspektin psikologjik medalja e artë e Europianit?

Medalja e artë në Kampionatin Europian normalisht që ndikon për mirë, pasi të jep kënaqësi të madhe. Gjithë ato urime që kam marrë nga njerëzit në rrugë, nga personalitete, nga familjarët, nga kushërinjtë dhe nga të gjithë njerëzit në përgjithësi ndikojnë pozitivisht dhe të motivojnë që të bësh më të mirë e të japësh akoma më shumë nga vetja përsëri.

Cili është objektivi që i keni vënë vetes në “Oran 2022”?

Objektivi im për Lojërat Mesdhetare është që të realizoj prova për medalje, në mënyrë që të ngre flamurin shqiptar në këtë kompeticion të rëndësishëm.

Jeni një prej sportistëve me më shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare. Si është të marrësh pjesë në këto evente?

Për herë të fundit në Lojërat Mesdhetare kam marrë pjesë në Peskara, ku arrita që të fitoja medalje ari. Janë evente emocionuese dhe shumë interesante, kompeticione të ngjashme me Lojërat Olimpike, pasi janë të gjitha sporte. Është një eksperiencë shumë e bukur për të gjithë sportistët që marrin pjesë. Edhe për mua është një kënaqësi që të jem pjesë e Lojërave Mesdhetare, aq më tepër të shkoj në këtë aktivitet si kampion i Europës.

Le të ndalemi pak te ndryshimi i peshës, një lëvizje që ju ka dhënë sukses të menjëhershëm?

Po, është e vërtetë! Ndryshimi i peshës ka qenë një sukses për mua, pasi garoj në kategorinë 81 kg, por arrita që të ul masën dhjamore dhe tani kam vetëm masë muskulore. Që në garën e fundit që bëra në Lojërat Olimpike isha në kategorinë 81 kg, më pas në Botëror kalova në peshën 73 kg, ku arrita një rezultat shumë të mirë, një rezultat fantastik, më pas në kampionatin kombëtar këtu, ndërsa kulmi ishte shpallja kampion i Europës. Pra, ishte një zgjedhje shumë e mirë ndryshimi i peshës, pasi jam përshtatur dhe ka ndikuar më së miri ky ndryshim. Mendoj që kam qenë në peshën e gabuar, pasi këtu e gjej veten më mirë, pavarësisht se të dyja janë kategori peshash shumë të forta, por mendoj që kam bërë zgjedhjen e duhur.

Image

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco