Do të luajnë në Europë, 'Air Albania' hap dyert për Tiranën dhe Partizanin

Do të luajnë në Europë, 'Air Albania' hap dyert për Tiranën dhe Partizanin

14:50, 22/06/2022

“Air Albania” hap dyert për Tiranën dhe Partizanin. Të dyja skuadrat shqiptare do t’i luajnë ndeshjet e tyre përkatëse europiane në impiantin kombëtar. Fillimisht ishte parashikuar që Tirana dhe Partizani t’i luanin ndeshjet e tyre si pritëse, respektivisht për bardheblutë ndaj Diddelange në raundin e parë të Champions League dhe për Partizanin në raundin e parë të Conference League ndaj gjeorgjianëve të Saburtalos në “Elbasan Arena”, pasi drejtuesit e “Air Albania” kishin programuar në të njëjtën periudhë mbjelljen e barit në tapetin e impiantit më të madh në vend.

Gjithsesi, pas negociatave të zgjatura ka fituar mirëkuptimi dhe drejtuesit e “Air Albanias” kanë vendosur ta shtyjnë këtë proces pas impenjimeve të radhës të dy skuadrave të kryeqytetit në kompeticionet europiane. Një lajm i mirë ky për vetë klubet dhe pa dyshim për tifozët përkatës, që do të evitojnë udhëtimin drejt Elbasanit duke shijuar komoditetin e “Air Albania”, duke qenë pa dyshim më të shumtë në numër. Mbështetja e tifozërisë pritet të jetë një faktor motivues më shumë për Tiranën dhe Partizanin që kanë mundësi reale për të kaluar turet përkatëse, duke siguruar në këtë mënyrë të ardhura të rëndësishme nga kompeticionet kontinentale.

Tirana do të luajë ndeshjen e dytë me Dudelange në 12 korrik, në orën 20.00. Për kryeqytetasit kalimi i këtij turi është i një rëndësie të jashtëzakonshme, pasi në vazhdimësi edhe në rastin më të keq do t’u mundësonte arritjen në play off-in e Conference League. Partizani ndërkohë do të luajë ndeshjen e kthimit me Saburtalon në 14 korrik, në orën 20.00. Super Sport.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco