Ka luajtur dikur me Laçin, një shqiptar është ‘Mbreti i Bomberëve’ të Italisë

Ka luajtur dikur me Laçin, një shqiptar është ‘Mbreti i Bomberëve’ të Italisë

20:26, 20/05/2022

Një shqiptar është golashënuesi më i mirë i Italisë në këtë sezon. Ai është ish-lojtari i Laçit, Dardan Vuthaj, dhe luan me Novarën në Serinë D. Me 35 gola në 35 ndeshje në këtë sezon, “Dardanjani” shqiptar ka shënuar më shumë se Çiro Imobile dhe ka ngjitur klubin piemontez në Serie C. Sezoni ende s’ka mbaruar dhe ai synon kuotën e 40 golave.

Sulmuesi më pjellor në Itali këtë sezon është një lojtar shqiptar, i lindur në Greqi dhe i rritur në Liguria. Dardan Vuthaj me 35 gola në 35 ndeshje të kampionatit udhëhoqi Novarën, e cila fitoi grupi A të Serinë D italiane dhe u rikthye në Serinë C pas vetëm një viti.

Image

Vuthaj, i lindur në vitin 1995, ka shënuar më shumë se Imobile, Koda dhe Brunori, golashënuesit më të mirë të tre serive profesioniste të Italisë me Lacion, Leçen dhe Palermon. Shpërthimi i këtij djali shqiptar ishte paralajmëruar pas 21 golave të shënuar vitin e kaluar me Riminin, gjithmonë në Serinë D. I lindur në Patra nga prindër shqiptarë, Dardani mbërriti në Liguria, kur ishte fëmijë dhe filloi në sektorin e të rinjve të Xhenovas. Në vitin 2012, në moshën 17-vjeçare, ai bëri debutimin e tij në Divizionin e Dytë të Lega Pro me Savonën, ku ishte i huazuar nga “kuqeblutë”.

Që atëherë i ka rënë Italisë kryq e tërthor, duke luajtur për shumë skuadra, por në sezonin 2015-16 pati edhe një parantezë në Shqipëri me Laçin, në Superligë, ku u aktivizua vetëm 5 ndeshje. Pas atij sezoni u rikthye në Itali, ku filloi të spikaste në shënimin e golave deri në momentin e mbylljes nga pandemia.

Image

Vitin e kaluar Vuthaj u rikthye në Serinë D tek Rimini. Më pas këtë sezon ia bashkua Novarës, ku stili i lojës i trajnerit Marko Markioni, ish-lojtarit të Parmës dhe Juventusit lartësoi karakteristikat e tij si finalizues.

Deri tani ka shënuar 36 gola, nëse përfshijmë edhe atë të shënuar në Kupën e Italisë. Vuthaj e mbylli me tripletë në Piola ndaj Derthonës në javën e fundit, por sezoni ende nuk ka mbaruar. Të dielën e 22 majit në fakt fillon “Play Off”-i për titullin kampion të Serisë D. Dhe ndërsa Novara e tij synon titullin kampion, Vuthaj, dëshiron të arrijë 40 golat, për të kurorëzuar një sezon të jashtëzakonshëm.

Në Itali e quajnë me dashamirësi “Dardanjan” ose “Dadi”, ndërsa djaloshi me origjinë nga Kurbini e ka marrë profesionin nga babai i tij, ish-sulmuesi i njohur shqiptar i viteve 90-të, Andi Vuthaj. Nuk dihet nëse 26-vjeçari do të luajë në kategorinë e tretë me Novarën apo do të kalojë në ndonjë nivel më të lartë, ndërsa është e sigurt që ka tërhequr vëmendjen e mjaft klubeve sidomos në Serinë B.

 

Image

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco