FSHF reagon sërish: Informim publik për financat dhe atë që Çakejt e quajtën ‘Skandal’

FSHF reagon sërish: Informim publik për financat dhe atë që Çakejt e quajtën ‘Skandal’

11:14, 26/11/2021

Përplasja mes “Panorama Sport” dhe Federatës Shqiptare të Futbollit ka vijuar sërish ditën e sotme me akuza dhe kundërakuza.

Pas raportimeve të ditëve të fundit për të ashtuquajturin “skandalin financiar”, me llogari të bllokuara për transaksione të dyshimta, FSHF ka reaguar duke shpjeguar situatën, si dhe duke hedhur poshtë të gjitha pretendimet e ngritura.

"Federata Shqiptare e Futbollit e ndjen dhe e ka për detyrë të informojë komunitetin e futbollit, anëtarët e saj, por edhe të gjithë opinion publik për atë që gjatë këtyre ditëve është trajtuar si skandal apo kolaps financiar i FSHF-së, me llogari të bllokuara, me rroga që nuk arrihen të jepen në kohë apo deri edhe në veprimtari anti-ligjore nëpërmjet transaksioneve në llogari të dyshimta.

Të gjitha pretendimet e ngritura prej dy ditësh nga media Panorama Sport dhe “opinionistë” lidhen me një detyrim që klubi Tirana ka ndaj ish-sponsorit të saj në vitet ‘90, të ndjerit Metush Seferi. Familja Seferi ka fituar gjyqin me klubin e Tiranës dhe për këtë detyrim, dhe me të drejtë, ka angazhuar një zyrë përmbarimore për vjeljen e detyrimit.

Zyra përmbarimore kërkon ta realizojë vjeljen e këtij detyrimi përmes bllokimit të të ardhurave që klubi Tirana siguron nëpërmjet pjesëmarrjes në kampionatin shqiptar dhe në kupat e Europës. Përballë kësaj situate, klubi Tirana, e ka pezulluar ekzekutimin e këtij vendimi me një tjetër vendim gjykate. Pra, bëhet fjalë për një konflikt mes klubit Tirana dhe ish-Presidentit, Metush Seferi. Në asnjë moment nuk ka pasur apo nuk ka një bllokim të fondeve apo të llogarive të Federatës Shqiptare të Futbollit nga të ardhurat që vijnë nga UEFA për pjesëmarrjen e klubeve shqiptare në kompeticionet europiane. Mediat e interesuara dhe “opinionistët” e përfshirë në këtë çështje, sipas Ligjit për Informim Publik, mund t’i drejtohen Union Bank për të marrë informacionin e saktë në lidhje me këtë pretendim.

Në lidhje me akuzën e rëndë të bërë se paratë që klubi Tirana ka siguruar nga pjesëmarrja në Kupat e Europës një sezon më parë janë kaluar nëpër llogari të ndryshme nga llogaria e klubit, duhet të bëjmë përsëri me dije se të gjitha të ardhurat e UEFA-s kanë kaluar në llogaritë e klubit të Tiranës dhe nëse përmbaruesi nuk i ka marrë dot nga bankat, ky është problem mes përmbaruesit dhe bankës dhe jo Federatës Shqiptare të Futbollit që ka për detyrë që paratë e anëtarëve të saj t’i transferojë në llogaritë e tyre. Dhe vlen për t’u theksuar se i gjithë ky proces ekzekutimi është i jashtëligjshëm pasi po përpiqet të ekzekutohet një vendim për një shoqëri që tashmë ka mbetur pa administrator dhe në kundërshtim me ligjin po vazhdon të ekzekutohet.

 

Pretendimi i tretë i ngritur këto ditë nga media se Federata Shqiptare e Futbollit është në kolaps financiar, duke hasur vështirësi në pagimin e punonjësve, është një e pavërtetë e madhe. FSHF jo vetëm që nuk gjëndet në një situatë kolapsi financiar, por po vazhdon të kryejë aktivitetin e saj rregullisht dhe është duke kryer investime të rëndësishme në infrastrukturë. Stadiumi i Kukësit, kompleksi stërvitor “Skënder Halili”, kompleksi stërvitor i klubit Teuta, stadiumi “Niko Dovana”, rinovimi i fushës së stadiumit “Reshit Rusi”, stadiumi i qytetit të Bulqizës, investimi në stadiumin Egnatia, kompleksin Partizani, stadiumin “Tofik Jashari” që janë në proces tregojnë se gjëndja financiare e FSHF është e qëndrueshme dhe e shëndoshë falë menaxhimit shumë të mirë që bëhet nga administrata e Federatës Shqiptare të Futbollit.

 

Ky është detyrimi ynë për ju të dashur anëtare të familjes së futbollit dhe për ju të nderuar tifozë e dashamirës futbolli.

 

Ndërsa çakejtë e qentë që lehin për të realizuar objektivat e veta nuk meritojnë as vëmendje e as përgjigjen tonë."

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco