El Clasico: Koeman pranon presionin, Ancelotti thotë se frika shfaqet para ndeshjes

El Clasico: Koeman pranon presionin, Ancelotti thotë se frika shfaqet para ndeshjes

09:13, 24/10/2021

Trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman pranoi se ishte nën presion përpara takimit të kësaj të diele

pasdite kundër rivalëve të mëdhenj, Real Madrid në stadiumin Camp Nou. Barça vjen pas fitoreve të njëpasnjëshme kundër Valencias dhe Dynamo Kievit, por humbja ndaj Real Madridit do t'i linte pesë pikë prapa rivalëve të tyre në La Liga, duke i goditur rëndë në moralin e tyre. “Është e pamundur për mua të mos kem presion”, tha Koeman, duke shtuar se “kur je trajner i Barçës, duhet të jetosh me këtë dhe e di se sa e rëndësishme është e gjithë kjo”.

"Kam fituar shumë Clasico si lojtar dhe është shumë bukur," tha trajneri i Barcelonës, i cili nuk arriti të mposhtë Real Madridin në dy ndeshjet e tyre sezonin e kaluar.

 “Kjo është El Clasico e parë si trajner me tifozë në tribuna dhe kjo e bën ndryshe. Duhet të kemi dëshirën për të fituar ndeshjen”, tha Koeman, të cilit i është dhënë një tjetër votëbesim nga presidenti i klubit, Joan Laporta.

“Ai nuk ka pse të thotë çdo ditë se unë do të vazhdoj, por ndihem i mbështetur nga presidenti dhe klubi, edhe pse të gjithë e dimë se gjithçka varet nga rezultatet”, përfundoi Koeman.

Ndërkohë, trajneri i Realit të Madridit, Carlo Ancelotti, e pranoi se në një përballje të tillë është mirë të kesh frikë, duke përdorur edhe një metaforë të goditur.

“Është mirë të kesh frikë, sepse nuk mund të shkosh duke besuar se është mace dhe në fakt përballesh me një luan. Frika është diçka që shfaqet para ndeshjes, pas stërvitjes, dhe mendon se skuadra nuk është mirë. Është diçka konstante. Është një ndjenjë e mirë, nuk po flas për të qenit i tmerruar. Ka gjëra më të këqija në jetë sesa humbja e një ndeshjeje,” – shpjegoi Carletto.

Ashtu si Koeman, italiani mendon se nuk ka një skuadër favorit në “El Clasico”:

“Nuk e di cila skuadër vjen në formë më të mirë. Nuk ka favoritë kjo ndeshje. Barcelona ka luajtur mirë në ndeshjet e fundit. Ka shumë faktorë që ndikojnë në këtë përballje”.

Pa Messin, Cristianon, Ramosin…

Një ekspert në një mijë beteja, italiani e vlerëson “El Clasicon” në një kontekst të ngjashëm me ndeshjet e mëdha që po luhen në Europë këtë fundjavë:

“Rivaliteti është shumë i madh dhe cilësia është shumë e madhe. Ndjenja është e njëjtë si në një Milan-Inter ose Chelsea-Tottenham. Të dy skuadrat po ndryshojnë, por gjithmonë do të jetë një lojë e mrekullueshme. Po përmirësohemi fizikisht. Nuk e dimë ende se ku mund të arrijnë lojtarë si Ansu Fati apo Vinicius, ne e dimë që “El Clasico” do të jetë gjithmonë një përballje shumë e madhe”.

Është ndeshja e tij e dymbëdhjetë kundër Barcelonës si trajner: tri fitore, tri barazime dhe pesë humbje deri më tani…

“Nuk kam fituar kurrë në “Camp Nou”, kështu që ka ardhur koha që kjo të ndodhë. Ndjesia është e njëjtë si me Messin e Ronaldon në fushë. Tani ka lojtarë të tjerë dhe për mua të rinjtë e Barcelonës janë të jashtëzakonshëm. “El Clasico” do të ekzistojë pa Messin, Cristianon, Sergio Ramosin.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco