Bonucci: Të gjithë ishim në shërbim të Ronaldos, tani rigjetëm shpirtin juventin

Bonucci: Të gjithë ishim në shërbim të Ronaldos, tani rigjetëm shpirtin juventin

14:11, 20/10/2021

Leonardo Bonuçi, lider absolut i Juventusit, ka folur për disa tema të nxehta, duke përfituar edhe nga fakti që mbrëmjen e sotme, skuadra e tij do të luajë në Shën Pjetërburg, ndaj Zenitit.

Por 34-vjeçari foli për Ronaldon, pakënaqësitë me Alegrin, por nuk ngurroi të thumbonte as Interin, rivalin e ardhshëm në Serinë A, të dielën në mbrëmje.

 “Kjo verë nuk ishte shumë e lehtë, duke parë se tifozët e ndien jo pak largimin e Ronaldos. Gjithsesi, Kristiano bëri zgjedhjen e tij, ndonëse skuadra sezonin e kaluar luajti e gjitha për të. Por me të ikur ai, grupi rigjeti atë shpirtin juventin që na ka karakterizuar, përpara mbërritjes së tij në Torino”. 

Lidhur me rivalin e ardhshëm në kampionat, përpara se të kalonte te Zeniti dhe Alegri, Bonuçi nuk ngurroi që të ndizte përpara kohe derbin e Italisë: “Nëse Juvja nuk fiton titullin, duket një skandal, por sezonin e kaluar dikush harron se ngritën sërish dy trofe. Gjithsesi, edhe ata që krenohen për kampionatin ndoshta e dinë mirë se sezonin e kaluar, më shumë sesa për merita të tyre, Interi e fitoi titullin për mëkatet tona. Nëse do të kishim qenë një skuadër, realiteti mund të kishte qenë krejt tjetër në fund të kampionatit” ,u shpreh Bonucci.

Për sa i përket ndeshjes me Zenitin në Champions, mbrojtësi bardhezi zbulon:

“Do të luaj kundër asaj që ndoshta 10 vite më parë mund të kishte qenë skuadra ime. Në takimin e parë me Konten në Torino, ai ma bëri të qartë se unë isha zgjedhja e tij e fundit në hierarkinë e mbrojtësve dhe se mund të gjeja një sistemim tjetër. Me Zenitin tentativa kishte avancuar mes klubeve, por unë me krenari kërkova që të zgjidhja të qëndroja në Torino dhe bëra zgjedhjen e duhur.

Si ndihem me Alegrin pas karriges në Porto-Juve? Ai episod ishte faji im.

Unë nuk jam nga ata që edhe kur më lënë në tribunë ndihem si spektator. Për të mos shqetësuar ndonjë që mund të ishte pranë meje, zgjodha që të ulesha në një karrige të lartë, në mënyrë që të mund të shfryja me lirshmëri pasionin tim. Gjithsesi, mendoj se ai moment më bëri të kuptoj gabimet e mia dhe më pas forcoi marrëdhënien time me Alegrin. Dëshira e fundit e karrierës? Të fitoj Champions-in në vitet që më kanë mbetur.

E di që kam luajtur dy finale. Por nëse në 2015-ën Barça ishte skuadra më e fortë në qarkullim dhe pengjet janë më të vogla, ajo që do të doja të ri luaja ishte finalja e 2017-ës me Realin e Madridit. Tensioni në atë sfidë na dënoi, pas një pjese të parë shumë të mirë nga ne, ndaj shpresoj që nëse më jepet shansi të luaj një finale të tretë, të mund të ngre edhe unë me shokët e mi Champions-in”, përfundoi Bonuçi.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco