Superiore/ Katër skuadra zbresin në fushë, mësoni sfidat interesante të ditës së sotme

Superiore/ Katër skuadra zbresin në fushë, mësoni sfidat interesante të ditës së sotme

12:07, 17/10/2021

Në orën 19:45, në stadiumin “Elbasan Arena”, do të luhet sfida mes Tiranës dhe Teutës, e vlefshme për javën e pestë në Kategorinë Superiore.

Një ndeshje që pritet të jetë mjaft e luftuar, duke pasur parasysh pretendimet që kanë skuadrat në kampionat.

Bardheblutë kanë patur probleme në dy javët e fundit, për shkak të koronavirusit, duke u kthyer në një vatër infektimi.

Futbollistët tanimë e kanë kaluar sëmundjen, por forma fizike pas një sëmundjeje të tillë nuk mund të vijë menjëherë dhe vështirë se mund të jenë gati për të luajtur menjëherë pas saj 90 minuta, maksimumi mund t’ia dalë vetëm ndonjëri dhe Orges Shehit i duhet të thërrasë në ndihmë elementët e rinj.

Teuta është bashkëkrysuese e klasifikimit, kampione në fuqi, në ndeshjen e fundit bëri një përmbysje të madhe ndaj Kukësit, dhe mbi të gjitha Edi Martini i ka të gjithë gati. Është rikuperuar dhe Lorenco Vila dhe po ashtu dhe Ivanovic, elementë që rrisin cilësinë dhe alternativat në një skuadër me shumë ekuilibër dhe ndaj së cilës është shumë e vështirë të shënosh.

Gjithashtu një tjetër sfidë interesante luhet në orën 16:45, në  “Air Albania”, ku Partizani i Dajës sfidon Kukësin e Longos.

Një përballje mjaft e fortë, me skuadrat që në vitet e fundit kanë patur rivalitet të madh midis tyre.

“Të kuqve” u ka munguar shkëlqimi dhe edhe rezultatet në këto 4 javë të parë. Vetëm 3 pikë janë shumë pak për një skuadër me objektiva madhorë, në kërkim të fitores së parë, me të kuqtë që më në fund, në kryeqytet, pritet të kenë edhe një shtysë më shumë, një numër më të madh tifozësh në mbështetje të tyre.

Daja ka rikuperuar Kacen, Mustën dhe Sten Zhunior që i projekton titullarë, ashtu si dhe Markun, me trajnerin që pret që ditët e pauzës të kenë shërbyer për të gjetur sidomos më shumë cinizëm në sulm, aty ku Partizani ka rendimentin më të dobët në këtë fillim kampionati, vetëm 3 gola në më shumë se 360 minuta lojë.

Për Kukësin, ditët e pushimeve nuk kanë qenë dhe aq të qeta. Deklaratat e Diego Longos pas humbjes me Teutën lanë vend për interpretimin e një largimi të mundshëm të italianit nga stoli, por drejtuesit e kanë blinduar, duke zgjedhur të vazhdojnë me të. Argumentet nuk u mungojnë, Kukësi shpreh një futboll sulmues, prodhon lojë dhe shënon me bollëk, edhe pse në dy ndeshjet e fundit ka konstatuar brishtësi në mbrojtje.

Trajneri ka sjellë një futboll argëtues dhe tanimë është rikthyer për të vazhduar një projekt që premton, ndaj Partizanit për Kukësin e tij është momenti i duhur për të shprehur vlerat e një skuadre pretendente.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco