Tre gola dhe një asist në tre ndeshjet e fundit me Shqipërinë, vetëm 81 minuta të luajtura

Tre gola dhe një asist në tre ndeshjet e fundit me Shqipërinë, vetëm 81 minuta të luajtura

09:47, 10/10/2021

Kombëtarja shqiptare e kreu më së miri “misionin” Hungari. Djemtë kuqezi arritën një fitore të madhe në “Pushkash Arena” ndaj Hungarisë, duke mbajtur gjallë shpresat për një kualifikim në Botërorin “Katar 2022”.

Një fitore që u arrit sërish falë Armando Brojës, i cili si duket ia mori dorën hungarezëve pas golit në “Elbasan Arena”.

Broja kishte patur një problem fizik dhe mjekët kishin rekomanduar që të mos luante që nga fillimi i sfidës.

Në pjesën e dytë, Reja iu afrua sulmuesit 20 vjeçar dhe e pyeti nëse ishte gati për t’ë hyrë në fushë. Përgjigja e Brojës ishte e shkurtër dhe e qartë: “Po, mister jam gati”.

Djaloshi nga Kopliku u fut në fushë në minutën e 66’ dhe vetëm 14 minuta më pas shënoi golin e fitores për kuqezinjtë.

Broja me një sprint të jashtëzakonshëm dogji mbrojtjen kundërshtare dhe me një goditje të fuqishme nga brenda zonës dërgoi topin në cepin e portës, aty ku Gulashin nuk mund të bënte asgjë.

Një gol i rëndësishëm për sulmuesin në pronësi të Chelsea-t, por sigurisht mbi të gjitha për Kombëtaren tonë.

Për Armando Brojën 3 ndeshjet e fundit me Kombëtaren shqiptare kanë qenë të jashtëzakonshme, pasi  ka arritur të shënoi 3 gola dhe të dhuroi një asist në 81 minuta lojë që është aktivizuar në 3 ndeshjet e fundit me kuqezinjtë.

Sulmuesi 20 vjeçar u fut në fushë në minutën e 78-të në ndeshjen me Hungarinë  në “Elbasan Arena” më 5 shtator dhe vetëm pas 9 minutash shënoi golin e fitores dhe çoi peshë zemrat e tifozëve të kombëares.

Tre ditë më vonë, Broja ishte sërish protagonist në fitoren 5-0 ndaj San Marinos. Ai hyri sërish në fushë si zëvendësues, teksa zuri vendin e Nedim Bajramit në minutën e 46-të. Nuk u desh shumë dhe në këtë takim në aq minuta sa pati në këmbë zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer, duke shënuar gol (minuta 61) dhe dhuruar një asist për Uzunin (minuta 80).

Në fund ndeshja e mbrëmshme sërish ndaj Hungarisë, ku tregoi edhe një herë tjetër vlerat e mëdha që ka si sulmues. E ardhme e ndritur për djaloshin nga Kopliku... (Syri.net)

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco