Tebas akuza të rënda kundër PSG: Mund ta konfirmoj me shifra, i shpëtuat dënimit sepse...

Tebas akuza të rënda kundër PSG: Mund ta konfirmoj me shifra, i shpëtuat dënimit sepse...

15:13, 08/10/2021

Javier Tebas kundër të gjithëve, por sidomos kundër PSG. Është një raport shumë i komplikuar ai mes Presidentit të Ligës Spanjolle dhe klubit të kryeqytetit francez, siç duket qartazi edhe në intervistën e tij të fundit, ku nuk mund të mungonte një “shigjetë” e drejtpërdrejtë për klubin e sheikëve.

“PSG nuk gjeneron të ardhurat për organikën që ka. Kjo provokon një shtrembërim të konkurrencës ekonomike të futbollit evropian. Nuk kuptoj se si mund të justifikojnë një organikë prej thuajse 600 milionë eurosh në momentin që klubi që fiton Ligue 1 arkëton rreth 45 milionë euro. Kam ftuar presidentin e PSG, Nasser Al-Khelaifi, dhe presidentin e Ligës Franceze, Vincent Labrune, për të t’u treguar shifrat që kam në dispozicion, por nuk më janë përgjigjur. Më kritikojnë, por nuk më përgjigjen. Mund t’ju demonstroj, me shifrat që e konfirmojnë, një spekulim në lidhje me Fair Play-n Financiar. Para se të merte Messin, PSG kishte 40 % më shumë para sponsorizimesh se Manchester United dhe ata shpëtuan nga dënimi me një marifet procedural.” 

PSG në shënjestër të Tebasit, por ndërkohë futbolli spanjoll nuk është se po ia kalon mirë. Barcelona, deri dje një klub gjigant, sot përballet me probleme të mëdha financiare.

“Barcelona nuk është se kishte vdekur, se përndryshe nuk do të mund të merrte një hua prej 500 milionë eurosh. Jam më i shqetësuar për krizën institucionale sesa për situatën ekonomike. LaLiga është shumë mirë, Neymar, Messi dhe Cristiano Ronaldo kanë ikur dhe sërish ka regjistruar një rritje prej 13-14% nga shitja e të drejtës televizive ndërkombëtare për 4 sezonet e ardhshme. Diçka e bukur t’i kesh ata lojtarë, por strategjia jonë nuk varet nga ata. Në Spanjë ka gjithmonë lojtarë të mëdhenj”.

Nuk mund të mungonte edhe hapësira për dy tema të tjera të nxehta, si Superliga dhe Botërori.

“La Liga ishte 100% në mbështetje të UEFA-s. Jemi vendosmërisht kundër një projekti që nuk do ta shohë dritën e diellit. Sa i përket Botërorit, Infantino kishte nevojë për 2 miliardë 400 milionë euro për Botërorin e tij të klubeve. Nuk i gjeti në treg, dhe ia ku doli ideja e një Botërori çdo dy vjet. Dhe do të shpikin edhe një botëror për klubet në janar çdo dy vjet. Gjithsesi, FIFA mund të thotë edhe se do të ketë një Botëror çdo javë, por mund t’ju siguroj se kampionatet nuk do ta lejojnë”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco