Flick flet me superlativa për gjermanët: Intensitet, duel dhe humor i mirë

Flick flet me superlativa për gjermanët: Intensitet, duel dhe humor i mirë

11:46, 08/10/2021

Gjermania do të përballet me Rumaninë në shtëpi në një ndeshje të vlefshme për kualifikueset e Botërorit.

“Pancerat” renditen të parët në Grupin J dhe shpresojnë të thellojnë akoma më shumë diferencën me vendin e dytë.

Trajneri Hansi Flik tha se ishte gati për sfidën që do të luhet në Hamburg, pasi skuadra etij është mjaft e përgatitur dhe besojnë në fitoren e radhës.

Si është situata aktuale në skuadër?

Më vjen mirë që të gjithë janë në gjendje perfekte shëndetësore. Mendoj që të gjithë lojtarët janë në gjendje për të luajtur nesër (sot). Jemi shumë të kënaqur me mënyrën se si po shkojnë gjërat, stërvitjet kanë qenë shumë zbavitëse dhe atmosfera në skuadër është fantastike. Stërvitja e së enjtes ishte nga më të bukurat që kur kam ardhur këtu. Intensitet, duele dhe humor i mirë. Kjo është ajo çfarë dua të shoh gjithmonë. Të gjithë mezi presin ndeshjen ndaj Rumanisë, jemi të uritur për fitore.

Sa i druheni Rumanisë?

Do të ndeshemi ndaj një skuadre e cila luan futboll të bukur dhe sulmues. Në tri ndeshjet e fundit ata nuk kanë pësuar gol dhe ky është një sinjal për ne që nesër (sot) do të na duhet të djersijmë shumë për të shënuar në portën e tyre. Duam t’i vëmë ata nën presion nga minuta e parë, është shumë e rëndësishme që ta fitojmë këtë sfidë. Tifozët do të jenë lojtari ynë i 12-të.

Po mësoheni me rolin e ri?

Në dy vitet e fundit kam përjetuar kulmin e karrierës sime, edhe pse mendoj që ka shumë për të fituar. Kupa e Botës dhe Europiani janë objektivat e radhës. Dhe, duke parë skuadrën që po stërvis, mendoj që të dy këta trofe janë të arritshëm.

Jeni i kënaqur me lojtarët që keni në dispozicion?

Kemi grumbulluar 20 lojtarë dhe tre portierë. Çdo pozicion e kemi të zënë me dy lojtarë. Të gjithë duan të luajnë dhe ta japin maksimumin për kombëtaren e tyre. Të gjithë janë të aftë për të qenë pjesë e këtij projekti. Shoh një dëshirë të madhe për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe kjo është fantastike. Të gjithë e dinë se duhet të luftojnë për një vend titullari dhe e bëjnë këtë në mënyrë harmonike.

Cilët janë hapat e tjerë?

Në shtator kemi pasur pak kohë për t’u përgatitur dhe për të vënë në punë idetë tona për sa i përket lojës. Për mua është shumë e rëndësishme të kem një mbrojtje kompakte dhe një mesfushë që ndihmohet nga sulmi dhe anasjelltas. Të gjithë lojtarët duhet të ndihen të përfshirë në lojë dhe të kuptojnë rëndësinë e tyre. Gjithsesi, për këtë na duhet edhe pak kohë, jo gjithçka mund të ndodhë në 3 muaj.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco