Solskjaer i del në krah Fernandes-it dhe akuzon arbitrat

Solskjaer i del në krah Fernandes-it dhe akuzon arbitrat

12:11, 26/09/2021

Pas eliminimit nga Carabao Cup, Manchester United ka regjistruar një tjetër rezultat negativ, teksa u mund 0-1 nga Aston Villa në “Old Trafford”.

Miqtë shënuan një gol vetëm tre minuta para fundit të kohës së rregullt, ndërsa në minutat shtesë Bruno Fernandes shpërdoroi një mundësi të artë për të rikthyer baraspeshën, pasi dërgoi mbi traversë një top të gjuajtur nga pika e penalltisë.

Në përfundim të ndeshjes trajneri Ole Gunnar Solskjaer u shfaq mjaft i zhgënjyer për humbjen dhe e ka pi me arbitrimin, pasi theksoi se goli i Aston Villës duhej anuluar për shkak të një pozicioni jashtë loje të Watkins.

“Një humbje me një gol të rregullt edhe pranohet, pavarësisht se ishte ndeshje që duhej ta fitonim me çdo kusht. Megjithatë më vjen keq që akordohet një gol i tillë në pozicion jashtë loje. Watkins ishte në pozicion jashtë loje kur shkoi e u përplas me portierin De Gea, ndërkohë që Hause dërgoi topin në rrjetë. Në një rast identik në Brighton-Leicester, këtyre të fundit iu anulua goli, ndaj më vjen keq që mungon koherenca në vendimet e arbitrave”, deklaroi Solskjaer.

Një penallti në minutën e 95-të mund të shmangte humbjen e “djajve të kuq”, ndërsa në rrjetet sociale të shumtë janë tifozët që mendojnë se te pika e bardhë duhej të kishte shkuar Cristiano Ronaldo, megjithatë Solskjaer merr në mbrojtje fantazistin portugez Fernandes.

“Bruno ka treguar se është një gjuajtës i shkëlqyer penalltish, ashtu si Ronaldo që ka shënuar më shumë se kushdo nga pika e bardhë. Ne kemi gjuajtës shumë të mirë dhe kjo natyrisht që më lë të qetë. Nuk ka vend për dramë, pasi ndodh që një penallti edhe të humbet, pavarësisht kush e ekzekuton”, deklaroi tekniku Solskjaer.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco