Duel titulli në La Liga, Barcelona pret Atletico Madrid në 'Camp Nou'

Duel titulli në La Liga, Barcelona pret Atletico Madrid në 'Camp Nou'

10:14, 08/05/2021

Çdo tifoz i futbollit sot ka mundësinë të shoh një nga ato ndeshje që do të diskutohet gjatë.

Në kuadër të javës së 35-të të La Liga-s, Barcelona, e treta, pret në “Camp Nou” Atletico Madridin kryesues të kampionatit.

Nëse ndeshja në vetvete midis dy prej skuadrave më të rëndësishme në futbollin evropian sot nuk është mjaft tërheqëse, por pozicioni që zënë të dyja në renditje dhe që ndeshja është pothuajse vendimtare në garën për titull, e bën atë edhe më tërheqës.

Përtej faktit se do të jetë një nga ato përplasjet që do të mbajë të “gozhduar” përpara televizorit tifozët e futbollit, ndeshja do të marrë një vëmendje shumë të madhe, veçanërisht për kthimin e Luis Suarez në Camp Nou.

Vitet e tij në Barcelonë, kupat e fituara në ekipin blaugran dhe mënyra në të cilën u largua, të çojnë në faktin që ky duel të jetë shumë i veçantë, pavarësisht se tribunat do të jenë bosh. Padyshim, ribashkimi i "El Pistoleros" dhe Messi-t do jetë një nga momentet më të veçanta të kësaj supersfide.

Te vendasit do të vijojnë të mungojnë Philippe Coutinho e Ansu Fati, ndërsa Martin Braithëaite është në dyshim, ndërkaq në krahun tjetër trajneri argjentinas ka dilema vetëm për dy lojtarët Jose Gimenez e Renan Lodi, që kanë probleme fizike.

Atletiko ka statistika jo të mira në Katalunjë ndaj Barçës dhe “los colchoneros” kanë humbur 6 nga 10 sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet, Ligë, Champions apo dhe Kupë Mbreti.

Ndeshja Barcelona – Atletico do të zhvillohet në “Camp Nou”, në orën 16:15, dhe do të drejtohet nga 44-vjeçari valencian Mateu Lahoz, sidoqoftë vlen të përmendet fakti që Diego Simeone nuk ka fituar kurrë si trajner i bardhekuqve brenda në këtë stadium.

 

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco