‘Tërmet’ në botën e futbollit europian/ Pse po krijohet tani Super Liga?

‘Tërmet’ në botën e futbollit europian/ Pse po krijohet tani Super Liga?

10:40, 19/04/2021

BBC

12 nga ekipet më të mira në Europë kanë vendosur të bashkohen për të krijuar Super Ligën Europiane (SLE). Bëhet fjalë për ekipet e Milan, Atletiko Madrid, Barcelona, Inter, Juventus, Real Madrid, Arsenal, Çelsi, Liverpuli, Mançester Siti, Mançester Junajtid dhe Totenham. Klubet themeluese thanë se bëhet fjalë për një kompeticion që do luhet në mesjavë. Lajmi ka shokuar botën e futbollit. UEFA dhe FIFA kanë paralajmëruar përjashtimin e këtyre ekipeve nga kompeticionet e tyre. Por përse tani ky lajm bombastik?

Përse klubet e mëdha po e bëjnë këtë gjë?

Paratë duket se janë forca kryesore motivuese. SLE thotë se do ketë një ndarje më të madhe të të ardhurave nga ndeshjet. Të ardhurat e klubeve futbollistike janë goditur rëndë nga pandemia e Covid-19 për shkak të ndeshjeve të pezulluara dhe mungesës së spektatorëve. Klubet e mëdha kanë super-yje në ekipet e tyre me paga prej miliona stërlinash, të cilat duhen paguar.

“Formimi i Super Ligës vjen në kohën kur pandemia globale ka përshpejtuar destabilitetin në modelin aktual ekonomik të futbollit evropian,” thuhet në deklaratën e përbashkët të 12 klubeve themeluese. Deklarata shton se ky turne i përvitshëm evropian do të ofrojë një model të rritjes ekonomike ndjeshëm më të madh, dhe do të mbështesë futbollin evropian përmes një angazhimi afatgjatë.

Po ashtu SLE do të ofrojë ‘pagesa të pashfrytëzuara të solidaritetit’ për futbollin evropian, të cilat do të rriten në përputhje me të ardhurat e ligës. SLE thotë se ato do të jenë dukshëm më të larta se të ardhurat e gjeneruara nga kompeticionet aktuale evropiane dhe pritet të jenë më shumë se 10 miliardë euro gjatë fazave të hershme.

Çfarë do të ndodhë me ligat vendase?

Liga të tilla si Premier Liga në Angli dhe Seria A në Itali kanë një audiencë shumë të madhe televizive në mbarë globin. Ekziston frika se këto audienca mund të dobësohen për shkak të SLE. UEFA, organi drejtues i futbollit në Europë ka paralajmëruar të dielën se klubet e përfshira në SLE do të ndalohen të garojnë në të gjitha kompeticionet e tjera, në nivel vendas, evropian apo botëror. Po ashtu lojtarët e tyre mund të ndalohen që të përfaqësojnë ekipet kombëtare.

Por klubet e shkëputura po joshen me ‘karota’ të mëdha financiare, të cilat nuk janë në gjendje që t’i injorojnë, ndërsa pandemia vazhdon të dëmtojë të ardhurat e tyre. Detajet e bisedimeve u shfaqën që tetorin e kaluar, duke përfshirë edhe bankën JP Morgan për kompeticionin e ri me vlerë 4.6 miliardë sterlina. Klubet themeluese do të marrin një pjesë nga shuma prej 3.5 miliardë eurosh për të mbështetur planet e tyre për investimet në infrastrukturë dhe për të kompensuar ndikimin e pandemisë, thanë organizatorët e SLE.

Presidenti i Juventusit dhe nënpresidenti i SLE, Andrea Agnelli tha se 12 klubet kanë vendosur të bashkohen në këtë moment kritik, duke bërë të mundur që kompeticionet evropiane të transformohen. Ndërsa klubet e mëdha të Premier Ligës angleze, La Ligës spanjolle dhe Serisë A në Itali janë regjistruar, klubet më të mira të Francës dhe Gjermanisë deri më tani kanë vendosur të mos e bëjnë një gjë të tillë.

Si do funksionojë?

Super Liga Europiane do të ketë 20 klube pjesëmarrëse- 15 klubet themeluese dhe pesë klube të tjera që do kualifikohen çdo sezon. Klubet do të luajnë në mesjavë, kurse ekipet do të vazhdojnë të garojnë në ligat e tyre përkatëse kombëtare, nënvizuan me forcë drejtuesit e SLE. Sipas propozimeve, kampionati me 20 skuadra i SLE do të ndahet në dy grupe me nga 10 skuadra, që do luajnë me njëra-tjetrën brenda dhe jashtë.

Tre ekipet më të mira në secilin grup do të kualifikohen në çerekfinale, kurse ekipet e vendit të katërt dhe të pestë do të luajnë një play-off me dy ndeshje për dy vendet e mbetura. Më pas do të jetë formati me eliminim direkt me dy ndeshje, njësoj siç përdoret në Ligën e Kampionëve, derisa të arrihet finalja në maj në një stadium neutral.

Super Liga Europiane planifikon të nisë sa më shpejt të jetë e mundur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco