Ilir Daja: Nuk e dija që Partizani kishte 7 vite pa fitore në shtëpi ndaj Bylisit

Ilir Daja: Nuk e dija që Partizani kishte 7 vite pa fitore në shtëpi ndaj Bylisit

08:41, 12/04/2021

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja u shpreh tepër i kënaqur, për triumfin 3-0 që skuadra e tij arriti në “Air Albania” ndaj Bylisit. Në prononcimin pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, tekniku kryeqytetas deklaroi:

“Më pëlqeu fryma e grupit, qoftë për sa i përket shpirtit të skuadrës, por edhe dëshirën që kishim si skuadër dhe veprimet tekniko taktike. Na vjen mirë, që u kthyem te fitorja me rezultat bindës. Mund ta kishim zgjidhur më shpejt ndeshjen. Pothuajse i gjithë ekipi funksionoi. Merita ishte e atyre që ishin në fushë dhe atyre që ishin në bankinë.

Mungesa e Hasanit në aktivizim, ka të bëjë me dëmtimin që ka pasur. Është java e dytë që stërvitet me grupin. Në momentin që do të ketë gjendje të mirë fizike, do shtohet dhe minutazhi i lojës. Duhet mos kthehemi prap mbrapa me dëmtimet. Eksperienca dhe bagazhi i tij do na vlejë. Mund ta përdorim edhe në pozicion tjetër.

Bylisi ka një ekip për tu përshëndetur. Nuk është e lehtë fitorja me Bylisin. Unë nuk e dija, por më thanë që kishte 7 vjet që Partizani nuk fitonte në shtëpi. Bylisi është një ekip që nuk është e lehtë ta mundës, për mënyrën si ka zgjedhur ta interpretojë futbollin. Patëm vështirësi për të shkuar te goli i dytë. Kur krijon kaq shumë raste, trajnerit nuk i ngel gjë peng. Më kënaqi fakti që lojtarët ishin shumë herë më altruist, ishin në shërbim të njëri-tjetrit. Kjo është shumë pozitive.

Nëse do të ndërtosh fazën e sulmit nga mbrojta, ka një farë risku, të gjithë gabojnë. Është e rëndësishme që ata nuk gabuan në vazhdimësi. Sot është java e 27-të dhe pothuajse mbrojtësat nuk kanë bërë gabime. Është e pranueshme.

Nuk duhet të bëjmë lojën që një fitore dhe do të shkojmë te titulli dhe një barazim do të rishikojmë objektivin. T’i marrim ndeshjet një nga një. Nëse luajmë të gjithë grup, gjërat i kemi në vijë, në të kundërt do të shkojmë prap drejt barazimeve. Gabimet në këtë fazë pothuajse nuk lejohet.

Ekipi që na hap më shumë punë është ekipi i radhës. Nuk ka ndeshje të lehta. Nuk ka diferenca të mëdha mes ekipeve. Nëse nuk e vlerëson kundërshtarin, besoj do bëjmë gabimin më të madh. Me 5 ekipet e para kemi 2 fitore mangut dhe 2 më tepër. Kemi mungesë pikësh me ato ekipe që janë nga mesi dhe fundi i tabelës. Të gjitha ekipet janë të vështira.

Duke qenë se nëpër stadiume mungojnë tifozët, nuk e vështirëson aq shumë transfertën. Ndeshjet janë pothuajse njësoj. Siç erdhi Bylisi sot dhe luajti futboll të mirë, ashtu do të shkojmë edhe ne në transfertë. Mungesa e tifozerisë e bën transfertën dhe fushën vendase të barabartë”, u shpreh Daja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco