Inter mund Parmën dhe fluturon në +6 nga Milan

Inter mund Parmën dhe fluturon në +6 nga Milan

22:49, 04/03/2021

Inter përfiton maksimalisht nga ndalesa e Milanit dhe nis arratinë në krye të Serisë A, pasi mposhti Parmën me rezultatin 1-2 falë një dopiete të Alexis Sanchez dhe u ngjit në kuotën e 59 pikëve, 6 më tepër se kushërinjtë kuqezi.

 

Ndonëse pritej një Inter dominues, pjesa e parë nisi mjaft mirë për Parmën, që i shkoi shumë pranë golit të avantazhit me Kurtiç, por gjuajtja e tij me kokë u grushtua në mënyrë të shkëlqyer nga Handanoviç.

 

Reagimi i zikaltërve ishte mjaft i vakët dhe vetëm në minutat e fundit të pjesës së parë nisën të shohin drejt portës së Sepes, megjithatë skuadrat shkuan në dhomat e zhveshjes me rezultatin e bardhë 0-0.

 

Pjesa e dytë nisi vrullshëm për të besuarit e Contes, që pas disa aksionesh të rrezikshme, zhbllokuan rezultatin me anë të Alexis Sanchez, i cili iu ‘vodh” mbrojtjes vendase dhe mposhti portierin Sepe.

 

Vetëm 8 minuta më vonë ishte sërish sulmuesi kilen që shënoi edhe golin e dytë për Interin, sërish i shërbyer nga Romelu Lukaku, që bëri gjithçka mirë në gjysmëfushën kundërshtare, para se të jepte pasimin vendimtar.

 

Trajneri D’Aversa freskon skuadrën me tre zëvendësime dhe në minutën e 71-të Parma ia del të rihapë ndeshjen, teksa pas një aksioni pa shumë pretendime, Hernani u harrua në shtyllën e dytë dhe gjuajti, duke mposhtur Handanoviç.

 

Ky gol i bëri minutat e mbetura mjaft emocionuese, me emilianët që provuan me të gjitha mënyrat të shmangin humbjen, por nuk ia dolën, ndërsa në krahun tjetër Lukaku e Luataro shpërdoruan disa mundësi për të mbyllur ndeshjen.

 

Vërshëllima finale e arbitrit Pasqua la në fuqi suksesin 1-2 të zikaltërve, që regjistruan kështu fitoren e 6 radhazi në kampionat dhe nisën shkëputjen në krye të renditjes, pasi e shohin veten +6 pikë nga Milani i vendit të dytë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco