‘Synoj finalen e Olimpiadës’/ Luiza Gega tregon në ‘Kafe Shqeto’ objektivin në ‘Tokio 2020’

‘Synoj finalen e Olimpiadës’/ Luiza Gega tregon në ‘Kafe Shqeto’ objektivin në ‘Tokio 2020’

10:59, 26/02/2021

Mëngjesin e sotëm, e ftuar në një lidhje “Skype” në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri Tv ishte rekordmenia shqiptare e atletikës, Luiza Gega.

Kampionia e garave të 1500 dhe 3000 metrave në intervistën me gazetarin Flavio Qarri foli për objektivat që ka, teksa kujtojmë që vjet Gega për shkak të karantinës u bllokua në Afrikë, aty ku po stërvitej.

Tashmë 32-vjeçarja ka vendosur të stërvitet në Shqipëri, për të mos rrezikuar të bllokohet përsëri, për shkak të situatës së paparashikueshme të pandemisë.

“Po vazhdoj stërvitjen rregullisht, pavarësisht se këtë vit nuk munda dot të bëj një fazë përgatitore të dimrit”, theksoi fillimisht kampionia e atletikës, e cila më tej vazhdon:

“Zakonisht në këtë periudhë shkoj në vende të ngrohta si Afrika, në Kenia kryesisht. Kam 5 vite që e bëj këtë, pasi ne të atletikës duhet të stërvitemi jashtë në terren dhe kushtet e ftohta nuk na favorizojnë për të patur performancën e duhur. Për këtë arsye dimrin jam munduar ta kaloj jashtë vendit, por këtë herë nuk e mora këtë hap, pasi situata vazhdon të jetë e vështirë dhe mendova se mund të ketë një ngecje të dytë”.

Pyetjes se kur do të shohim duke ngritur flamurin shqiptar si kampione e garave ndërkombëtare, Luiza Gega iu përgjigj:

“Fokusi im kryesor këtë vit janë Lojërat Olimpike dhe për këtë arsye kam vendosur të mos marr pjesë në mitingjet e vogla që kryesisht janë në fazën e dimrit. Zakonisht unë merrja pjesë nëpër këto gara për të testuar veten, jo se kam patur objektiva. Unë jam prej 8 vitesh kampione e Ballkanit dhe nuk më jep më atë kënaqësi, pasi kërkoj diçka më të madhe.

Lojërat Olimpike janë evenimenti më i madh dhe aty dua të jap performancën time më të mirë. Siç e dini, unë tashmë jam e kualifikuar për në Olimpiadën e Tokios. Objektivi që i kam vendosur vetes është futja në finale. Do të ishte vërtet një sukses, pasi nuk ka ndodhur kurrë që një atlete shqiptare të futet. Nëse do të futem në finale, synoj një pozicionim sa më të mirë. Do të bëj më të mirën time dhe ‘Top-6’ e Olimpiadës do të ishte për mua një sukses”.

Në videon e mëposhtme mund të shihni intervistën e plotë të Luiza Gegës në “Kafe Shqeto”.

     

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco