Febbrari flet për projektin e kurseve: Ja si po rritet futbolli shqiptar

Febbrari flet për projektin e kurseve: Ja si po rritet futbolli shqiptar

08:52, 25/01/2021

Trajneri i përgatitjes fizike në Kombëtaren shqiptare, Luigi Febbrari, ka folur në lidhje me projektin e Federatës Shqiptare të Futbollit me kurset që po zhvillohen së fundmi për formimin e përgatitësve atletikë apo video-analistëve, që do të zhvillojnë më tej nivelin e profesionalizmit në aspektin e trajningut.

Në një intervistë të dhënë për një radio italiane, Febbrari ka vlerësuar vizionin e presidentit të FSHF-së, Armand Duka, për të nxitur specializimin e stafeve teknike të skuadrave shqiptare përmes formimit të tyre në këto kurse.

“Është një projekt i jashtëzakonshëm, ndihem i nderuar që Presidenti i FSHF-së, Armand Duka më ka ngarkuar këtë detyrë. Presidenti Duka, i cili ka punuar me shumë trajnerë të huaj, ka evidentuar në stafin aktual, një grup që sipas trajnerit është një grup i mirë që punon mirë.

Kësisoj bashkë me të kemi diskutuar për një projekt për të rritur futbollin në Shqipëri dhe nivelin e stafeve teknike, që shkon deri në 2024. Kështu që, objektivi është EURO 2024. Dhe çdokush në fushat tona të kompetencave, trajneri Reja është sigurisht supervizior absolut, ai do të ndjekë në mënyrë të veçantë formacionin e teknikëve, teknikëve të jashtëm, por edhe teknikëve shqiptarë.

Gjithashtu, edhe doktor Stessina po mendon të bëjë një trajnim me fizioterapistë dhe me mjekë shqiptarë. Unë nga ana tjetër, për fushën time të kompetencave, do të bëj të njëjtën gjë. Dhe Alarico Rossi është duke bërë të njëjtën punë me trajnimin e video-analistëve në Shqipëri.

Me pak fjalë jemi një grup njerëzish që po lëvizim gjërat në këtë drejtim”, – thotë trajneri i përgatitjes fizike në Kombëtaren shqiptare.

Më tej, Febbrari ka analizuar në detaje kursin e fundit të përgatitësve atletikë të zhvilluar nga Federata Shqiptare e Futbollit në dhjetor dhe ecurinë në vazhdim.

“Mua më që më ka takuar të merrem me formimin e përgatitësve atletikë në futboll dhe kam filluar të bëj kurse. Në fakt, kam mbaruar një kurs që zgjati një muaj në dhjetor ku rreth 30 të rinj morën pjesë dhe do të bëjmë në fund të janarit edhe një provim mbi kursin.

Kam thirrur 10-15 kolegë që e kanë bërë më parë këtë kurs, përfshirë këtu veten time dhe kolegë të tjerë që më ndihmojnë në punën time me Kombëtaren dhe kemi bërë rreth 110 orë leksione përmes video-konferencës, për shkak të arsyeve që tashmë dihen. Dhe ka nisur tashmë ky projekt, që do të ketë evolucionin e vet vit pas viti.

Kështu, kursi i ardhshëm i përgatitësve atletikë do të jetë në muajin maj. Kur të kthehem në Tiranë në fund të muajit, rreth një javë, do të bëj 20 orë të tjera përditësimesh, me një grup tjetër. Siç e thashë, më ka nderuar shumë kjo detyrë që më ka dhënë presidenti i FSHF-së, Armand Duka dhe shpresoj të mund t’i plotësoj këto pritshmëri, që janë besoj të arritshme. Roli i trajnerit të përgatitjes fizike do të mundësohet përmes kurseve të organizuara nga Federata Shqiptare e Futbollit, me kushtin që skuadrat A dhe B, do të jenë të detyruara të kenë një përgatitës atletik të certifikuar nga Federata.

Kështu bëhet edhe në Itali dhe kjo është garancia për të cilën unë pranova të organizoj këtë kurs”, – deklaroi ndër të tjera Luigi Febbrari.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco