Dzeko prish marrëdhëniet me Romën, Juventusi hidhet në sulm

Dzeko prish marrëdhëniet me Romën, Juventusi hidhet në sulm

12:22, 23/01/2021

Pas thuajse 5 sezonesh me fanellën e verdhekuqve, Edin Dzeko është shumë pranë divorcit me Romën.

Së fundi 35-vjeçari boshnjak ka prishur marrëdhëniet me trajnerin Paulo Fonseca dhe është lënë jashtë skuadrës për ndeshjen ndaj Spezias sot në orën 15:00.

Trajneri portugez dhe sulmuesi që mban edhe shiritin e kapitenit te Roma, u përplasën që gjatë muajit gusht, por pavarësisht tentativave, Dzeko nuk ia doli të largohet nga kryeqyteti gjatë merkatos së vjeshtës.

Palët provuan të bëjnë paqe dhe Fonseca riktheu sërish Dzekon si titullar e kapiten, duke e lënë në fushë thuajse në çdo ndeshje, ndonëse performanca e boshnjakut ka qenë zhgënjyese dhe shumë larg formës së Borja Mayoral, i cili ka shënuar shumë duke ardhur nga pankina.

Megjithatë Fonseca e Dzeko u përplasën sërish, këtë herë në dhomat e zhveshjes, pasi sulmuesi kërcënoi se do të bojkotonte stërvitjen bashkë me disa futbollistë të tjerë, në formë proteste për shkarkimin e dy menaxherëve të klubit, për çështjen e 6 zëvendësimeve ndaj Spezias.

Ndërhyrja e drejtuesve të klubit bëri që situata të rikthehej në normalitet për verdhekuqtë, por jo për Edin Dzekon, që nuk është grumbulluar fare për ndeshjen e sotme ndaj Spezias, pasi duket se trajneri Fonseca nuk i beson më kapitenit të tij.

Mediat pranë klubit të Romës konfirmojnë se edhe drejtuesit e klubit janë të zhgënjyer me performancën e sulmuesit 35-vjeçar, që është më i paguari në ekip, por ka bërë shumë pak në fushë këtë sezon.

Pikërisht për këtë arsye po mendohet shitja e tij që në janar, duke qenë se Juventus është ende në kërkim të një sulmuesi dhe pasi dështoi marrëveshja në verë, gjithçka mund të konkretizohet gjatë ditëve të ardhshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco