Legjenda e futbollit shkodran: Vllaznia fantastike! Janë për të hequr kapelen...

Legjenda e futbollit shkodran: Vllaznia fantastike! Janë për të hequr kapelen...

12:54, 20/01/2021

Hysen Zmijani ka qenë një prej atyre që nuk ka besuar në fillimin e sezonit se Vllaznia do të jetë në mesin e ekipeve pretendente për titull. Por, tani më shumë se kurrë, ai është i bindur se kush nuk flet me superlativa për këtë skuadër, gabon.

Legjenda e futbollit shkodran, në një intervistë për “Panorama Sport”, thotë ndër të tjera se ka ardhur koha që Vllaznia të quhet pretendente për titull. Sipas tij, ekipi i drejtuar nga Tomas Brdariç, po bind qoftë me lojë dhe rezultate. Ish-mbrojtësi i shquar i Kombëtares mendon se është meritë e filozofisë së trajnerit gjerman dhe stafit të tij.

Zmijani, duket se Vllaznia e deritanishme po i tejkalon parashikimet…?

Të flasësh për Vllazninë e gjithë sezonit është pak e vështirë, por me ndeshjet e fundit ndaj Teutës dhe Kukësit, mendoj se ka shkuar te tradita e vetë. Pikërisht te tradita e lojës së bukur. Nga sa kam parë deri më tani, kjo skuadër po zhvillon lojëra të bukura dhe bindëse, si në aspektin e sulmit, ashtu edhe të mbrojtjes si grup. Sidomos në anën sulmuese, Vllaznia shfaq një gjë shumë të bukur, të cilën kemi kohë që nuk e kemi parë.

Ju besoni se kjo skuadër do të kurorëzohet kampione në fund?

Patjetër që besoj se Vllaznia mund të pretendojë për titull dhe ata që nuk e besojnë këtë gjë, e bëjnë thjesht për xhelozi. Këto rezultate që ka marrë, nuk i kam marrë as unë nga zyra, as Partizani, as Kukësi dhe askush tjetër, por i mori Vllaznia. Kjo skuadër ka pasur ndoshta edhe fatin me vete, por ka bindur sidomos nga ana atletike. Janë fantastikë në këtë pjesë. Me të gjitha ekipet që kanë luajtur deri më tani, më kanë bindur, kështu që mund të ecë edhe më shumë përpara.

Cili është vlerësimi juaj për stafin teknik dhe a mund të themi se ky është çelësi i suksesit?

Stafi teknik është i pari, pavarësisht se duhet t’i rrisim vlerat edhe sponsorit. Por, stafi ka vendin më kryesor. Ndoshta në fazën e parë nuk jemi bindur aq sa duhet me lojën, edhe pse kishte fitore, por tashmë Vllaznia po i bind të gjithë në çdo aspekt. Kjo është e bukura e kësaj skuadre, e këtij trajneri dhe gjithë stafit. Gradualisht po vjen ajo Vllazni që ne kërkojmë dhe që kemi kohë pa e parë.

Duket se kemi të bëjmë me një Vllazni me filozofi gjermane, që në traditën e saj ka edhe futbollin e bukur…?

E përsëris, këto ndeshjet e fundit me Teutën e Kukësin më kanë bindur edhe më shumë për të folur vetëm gjëra të mira. Më përpara ndoshta kemi folur me njëfarë skepticizmi, sepse nuk ka pasur yje dhe përsëri nuk ka yje, por është ai ambienti apo grupi që po e bën këtë ekip të fitojë. Deri më tani vendi i parë është i merituar plotësisht.

Fitoi edhe ndaj Kukësit, që në fazën e parë kishte shënuar 4 gola në “Loro Boriçi”…

Vllaznia po shfaq gjëra fantastike dhe sidomos në dy ndeshjet e fundit. Tani kush flet me rezerva për Vllazninë, gabon, sepse edhe po luan bukur, edhe ka rezultate. Pse jo, të shkojë deri në fund me këto rezultate. Pa diskutim që ka për të pasur edhe humbje, sepse futbolli e pranon këtë gjë, por unë shpresoj se do të vazhdojë me fitore. Puna fantastike e stafit do të japë efektin e vet.

Si e shikoni përballjen e radhës ndaj Bylisit?

Skuadra nga ana fizike është për t’i hequr kapelen. Shpresoj që ta shohim shpesh kështu. Unë besoj shumë te një rezultat pozitiv edhe në Ballsh, por nuk ka ndeshje të lehta.

Tifozët nuk mund ta përjetojnë këtë moment fantastik të Vllaznisë nga stadiumi. Është kjo një ironi e fatit?

Kuptohet që mungesa e tifozëve e ka penalizuar pak skuadrën, sepse po të kishin qenë edhe ata në stadium, atmosfera do të kishte qenë e mrekullueshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco