Superliga/ Java e 14-të nis sot me Kukësi-Vllaznia dhe Teuta-Bylis

Superliga/ Java e 14-të nis sot me Kukësi-Vllaznia dhe Teuta-Bylis

12:37, 15/01/2021

Java e 13-të e Kategorisë Superiore i ka lënë shpejt vendin raundit të 14-të, i cili nis këtë të premte me dy sfida interesante që do të zhvillohen nën dritat e projektorëve.

Vëmendja më e madhe do të jetë padiskutim në “Elbasan Arena”, aty ku Kukësi në krizë totale në orën 18:00 do të kërkojë kthesën ndaj skuadrës më të mirë së këtij sezoni, Vllaznisë së Thomas Brdaric, që kryeson bindshëm kampionatin me 9 pikë avantazh nga ndjekësja më e afërt.

Kukësi ka një mision të vetëm në këtë duel; të rikthehet te fitorja pas 5 takimesh në të cilat ka grumbulluar vetëm 1 pikë.

Kukësi është një nga dy skuadrat që e ka mposhtur Vllazninë, por aktualisht skuadra kuqeblu ndryshon shumë si në lojë ashtu edhe në mentalitet krahasuar me javët e para, pasi ka fituar më shumë eksperiencë dhe repartet lidhen më mirë me njëra-tjetrën.

Sot në orën 18:00 do të zbresë në fushë edhe Teuta, teksa do të sfidojë në “Niko Dovana” Bylisin, në një ndeshje ku skuadra e Edi Martinit ka domosdoshmëri vetëm 3 pikët, për të hedhur pas krahëve edhe disfatën ndaj Vllaznisë të pësuar një javë më parë.

Nëse nuk kërkon të humbasë akoma më shumë terren në garën për titull, Teuta duhet të mposhtë me të gjitha mënyrat mallakastriotët, që gjithsesi nuk do të shkojë në qytetin bregdetar për shëtitje, por për të dhënë maksimumin në fushë dhe për të marrë diçka nga kjo sfidë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco