Shtyhet prej COVID-19 ndeshja e kampionatit anglez

Shtyhet prej COVID-19 ndeshja e kampionatit anglez

15:09, 14/01/2021

Aston Villa–Everton bëhet ndeshja e radhës në kalendar që shtyhet në Premieligë.

Fillimisht “villans” duhet të luanin në mesjavë me Tottenham-in në Londër, por drejtuesit e Premier League-s ndryshuan kalendarin duke iu mundësuar “luanëve nga Birminghami” një tjetër ditë pushimi në kampionatin anglez.

Për rrjedhojë “gjelat” e Jose Mourinho-s u ndeshën të mërkurën në mbrëmje me Fulham-in dhe u mendua se skuadra e drejtuar nga trajneri Dean Smith do të respektonte duelin e radhës me Evertonin.

Me sa kuptohet situata është përkeqësuar dhe klubi nga Birminghami ka kërkuar më shumë kohë për të kaluar këtë periudhë të vështirë.

Newcastle United ishte pikërisht klubi i parë që shtyu një ndeshje në edicionin e sivjetshëm të kampionatit anglez, për arsye të përshkallëzimit të situatës së pandemisë së koronavirusit në fillimin e muajit ta kaluar.

Më datën 4 dhjetor krerët e Premier League-s pranuan shtyrjen e ndeshjes së “magpies” pikërisht përballë Aston Villa-s, sidoqoftë javën e kaluar “villans” u shtrënguan për të zbritur në fushën e lojës përballë Liverpulit skuadrën e të rinjve.

Një situatë e përsëritur një vit më parë, kur të kuqtë ishin të impenjuar në kupën e botës për klube dhe Klopp u shtrëngua për të rreshtuar përballë Vilës pikërisht ekipin e të rinjve në fazën çerekfinale të Kupës së Ligës.

Javën e kaluar situata në klub u përkeqësua ndjeshëm dhe drejtuesit u detyruan për të mbyllur Qendrën Stërvitore të enjten e shkuar.

Sipas një komunikate të Premier League-s, një numër i konsiderueshëm i lojtarëve dhe pjesëtarëve të tjerë të stafit të Aston Vilës vazhdojnë të qëndrojnë në gjendje izolimi dhe për rrjedhojë krerët e ligës kanë rënë dakord për të pranuar kërkesën e “luanëve” për të shtyrë duelin me Evertonin, që duhej të zhvillohej të dielën në mesditë në orën 13:00 në stadiumin “Villa Park”.

Aston Villa ndërkohë duhet të luajë me Manchester Cityn të mërkurën, ndeshje kjo që fillimisht ishte programuar për tu luajtur në fundjavën hapëse të sezonit, por që u shty për shkak të avancimit të Citizens në Championsin e sezonit të kaluar. 

Një nga ndeshjet e tjera të prapambetura për ta, ajo në shtëpinë e Newcastle që u shty nga data e luajtjes në 4 dhjetor për shkak të shpërthimit të koronavirus te Magpies, është riprogramuar për të shtunën e 24 janarit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco