Viron Bezhani reagon pas shkarkimit nga KOKSH: Asambleja e paligjshme, Prokuroria po kryen hetime

Viron Bezhani reagon pas shkarkimit nga KOKSH: Asambleja e paligjshme, Prokuroria po kryen hetime

14:36, 13/01/2021

Pas shkarkimit si president i KOKSH-it nga Asambleja e Jashtëzakonshme e 10 janarit, Viron Bezhani vijon betejën dhe duke konsideruar atë mbledhje të jashtëligjshme.

Bezhani edhe një herë tjetër shpjegon se gjithçka është e falsifikuar dhe se ka bërë kallëzim në prokurori për atë që ka ndodhur.

Nëpërmjet një deklarate për mediat, Bezhani akuzon se kandidati politik për presidencën e KOKSH-it po përdor presione dhe manipulime për të kapur Komitetin Olimpik.

Deklarata e plotë e Bezhanit

“Duke marrë shkas nga disa zhvillime të ditëve të fundit, në cilësinë e Presidentit të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar e shikoj të nevojshme dhe domosdoshme të sqaroj plotësisht opinionin publik dhe cilindo që ka ndjekur këto zhvillime që mund të quhen të paprecedente dhe tërësisht negative.

Nën drejtimin dhe organizimin e personave të papërgjegjshëm në dt. 10 janar 2021 ka mbajtur një të ashtuquajtur asamble të jashtëzakonshme. Dëshiroj të bëj të ditur për publikun dhe çdo person të interesuar se kjo asamble është tërësisht e paligjshme dhe si rrjedhim çdo vendim i marrë është i paligjshëm.

Dua të ndalem në dy çështje të cilat janë diskutuar dhe vendosur nga kjo Asamble e paligjshme: ‘ndryshimet statutore’ dhe ‘shkarkimi i Presidentit’.

Së pari ndryshimet statutore janë diskutuar në kushte shumë të kufizuara organizimi dhe pjesëmarrjeje dhe si rrjedhim në vlerësimin tim kanë cenuar standardin normal të organizimit të asamblesë dhe votimit. Këto ndryshime statutore nuk janë produkt i vullnetit të plotë dhe të qartë të Federatave anëtare, por janë amendime sipërfaqësore dhe që nuk prekin problemet reale të KOKSH.

Së dyti, dëshiroj të sqaroj se farsa e ‘shkarkimit të Presidentit’ është më qesharakja dhe patetikja që në çështjet sportive është realizuar ndonjëherë por njëkohësisht është në mënyrë flagrante shkelje e Statutit, Ligjit dhe çdo parimi normal demokracie dhe logjike. Dua të ritheksoj se kërkesa e 2/3 të anëtarëve të KOKSH që ‘pretendojnë’ se kanë kërkuar asamble të jashtëzakonshme është e falsifikuar dhe një fakt i tillë është i qartë pasi faqja e parë është e panënshkruar, me format dhe konfigurim tërësisht të ndryshëm me faqet vijuese të nënshkruara dhe në faqet e nënshkruara citohet vetëm një nen për asamblenë e jashtëzakonshme.

Gjithashtu, personalisht kam komunikuar me disa nënshkrues të pretenduar të këtij dokumenti dhe më rezulton se këta persona deklarojnë se nuk kanë nënshkruar një dokument me këtë përmbajtje dhe se personat që kanë mbledhur firmat nuk ju kanë bërë të qartë këtë përmbajtje. Në këtë rast kjo kërkesë është e falsifikuar dhe e paligjshme. Lidhur me këtë kërkesë me kohë kam paraqitur kallëzim penal dhe Prokuroria po kryen hetime.

Për sa i përket ‘vendimmarrjes’ së kësaj asambleje për të më shkarkuar mua si President, dëshiroj të theksoj se unë nuk jam duke bërë një betejë personale por një betejë për parime dhe për interesin më të lartë të KOKSH-së. Në këtë rast dua të denoncoj ndërhyrjet politike që janë duke u kryer me nxitim për të kapur KOKSH.

Kandidati i qeverisë për president ka vënë në lëvizje mekanizma presioni dhe manipulimi për të kapur KOKSH-në. Publikisht i bëj thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që të distancohet nga këto veprime të paligjshme dhe abuzive që dëmtojnë KOKSH-në dhe interesat e sportit. Statuti i KOKSH nuk parashikon një instrument të tillë si ‘shkarkimi’, dhe një asamble nuk mund të marrë një vendim të tillë. Përveç se kjo lloj vendimmarrjeje nuk është në përputhje me Statutin në këtë rast ka krijuar edhe një precedent që në të ardhmen do të gjunjëzojë KOKSH para politikës. Duke legjitimuar një ‘mekanizëm shkarkimi’ absurd, të paligjshëm, një gjë e tillë do të përsëritet sa herë të kemi një forcë politike që synon të kapë KOKSH. Ky precedent është shumë i rrezikshëm dhe i paligjshëm.

Ju njoftoj publikisht se kanë filluar procedurat gjyqësore për të konstatuar paligjshmërinë dhe pavlefshmërinë e kësaj asambleje dhe vendimeve të saj. Ju bëj me dije gjithashtu se organizatorët dhe drejtuesit e kësaj asambleje dhe kushdo që ka gisht në këtë paligjshmëri do të paditet penalisht. Beteja ime ka qenë parimore dhe për standardin më të lartë të KOKSH dhe e tillë do të vijojë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco