Kupa e Italisë/ Inter, Napoli dhe Juventusi synojnë çerekfinalen

Kupa e Italisë/ Inter, Napoli dhe Juventusi synojnë çerekfinalen

09:50, 13/01/2021

Milani u bë skuadra e parë italiane që siguroi kalimin në fazën çerekfinale të Kupës së Italisë, pasi mposhti Torinon me rezultatin 5-4 me penallti, duke qenë se koha e rregullt përfundoi në barazim pa gola, ndërsa sot do të jetë radha e Interit, Napolit dhe Juventusit që të luajnë shanset e tyre.

Zikaltrit kanë udhëtuar drejt Firences, ku do të përballen me Fiorentinën vendase në orën 15:00 në “Artemio Franchi”, me synimin për të siguruar kalimin në çerekfinale, ndonëse nuk do të jetë aspak një sfidë e lehtë.

Në fundjavë Interi do të presë Juventusin në “San Siro” dhe trajneri Antonio Conte pritet të lërë pushim disa prej titullarëve të ekipit pasditen e sotme, ndërsa vëmendja maksimale do të jetë te danezi Christian Eriksen.

Kjo pasi Conte zbuloi dje në konferencën për shtyp se prej disa ditësh punon me danezin për një rol të ri në fushë, atë të mesfushorit para mbrojtjes, pak a shumë si Pirlo te Juventusi i dikurshëm, ndaj pritet me interes si do të reagojë Eriksen në atë pozicion.

Ky do të jetë një nga eksperimentet e fundit të danezit në fushën e lojës, pasi nëse as në këtë pozicion nuk do të tregojë shenja përshtatjeje, atëherë largimi nga Interi do të jetë i pashmangshëm, që në muajin janar.

Në orën 17:45, Napoli do të presë Empolin në stadiumin “Diego Armando Maradona”, një sfidë që pritet të mos u krijojë shumë telashe djemve të Gattusos, në rrugën e tyre drejt kualifikimit në çerekfinale.

 

Në mbrëmje vëmendja do të jetë në “Allianz Stadium”, ku Juventusi të presë Genoan, në betejën për një vend në fazën çerekfinale. Edhe këtu Pirlo pritet të aktivizojë një pjesë të lojtarëve që kanë luajtur më pak kohët e fundit, pasi Ronaldo e titullarë të tjerë duhet të çlodhen të prag të transfertës milaneze ndaj Interit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco