Reja optimist: Nëse kjo skuadër beson dhe më ndjek mua, atëherë mund të arrijë gjëra të mëdha

Reja optimist: Nëse kjo skuadër beson dhe më ndjek mua, atëherë mund të arrijë gjëra të mëdha

08:56, 04/12/2020

Trajneri i përfaqësueses shqiptare, Edi Reja, ka qenë në fokusin e faqes së internetit të FIFA-s, e cila ka publikuar një intervistë të gjatë me teknikun e kuqezinjve.

Një intervistë me kuriozitete rreth karrierës së tij, por edhe punës me ekipin kombëtar, i cili në javën e ardhshme njeh kundërshtarët në kualifikueset e Botërorit 2022.

Fituat grupin tuaj në Ligën e Kombeve dhe siguruat ngjitjen në Ligën B, çfarë mësuat rreth skuadrës tuaj në këtë aktivitet?

Liga e Kombeve ishte një eksperiencë interesante. Çdo skuadër ka një qasje të ndryshme ndaj futbollit, që do të thoshte që duhej të përshtateshim ndaj kundërshtarit në më shumë se një rast. Ne u përgatitëm mirë për ndeshjet tona dhe morëm një përgjigje të mirë nga ekipi. Mua më pëlqeu mënyra se si u përshtatëm në taktika të ndryshme dhe më bëri përshtypje sjellja e lojtarëve të rinj, të cilët treguan vlerat e tyre. Ishte një kënaqësi e vërtetë, pasi më duhet të pranoj se isha pak i shqetësuar para këtyre ndeshjeve.

Për lojtarët e lindur mes viteve 1999 dhe 2001, të cilët nuk kanë shumë eksperiencë, arena ndërkombëtare mund të ketë qenë një sfidë e madhe. Të përfaqësosh vendin tënd është një përgjegjësi e madhe dhe një sfidë e fortë. Por ata u treguan të guximshëm dhe zëvendësuan denjësisht lojtarë që ishin jashtë skuadre për shkak të COVID-19 apo dëmtimeve.

A kishte ndonjë gjë që nuk ju pëlqeu dhe që po shihni të përmirësoni para fillimit të kualifikueseve të Kupës së Botës?

Mua nuk më pëlqeu fakti se ne humbëm përqendrimin, pasi fituam një ndeshje dhe nuk treguam aq shumë vendosmëri. Nuk mund të relaksohesh dhe të humbasësh përqendrimin në këto nivele, pasi atëherë ti nuk jep më maksimumin dhe kjo i jep edhe kundërshtarëve më të dobët mundësinë për të të goditur. Kur jemi të relaksuar ne na mungon agresiviteti që na nevojitet për të arritur rezultate. Ne ishim në telashe ndaj Bjellorusisë, duke pësuar një gol budalla, pasi ishim në avantazh 2-0. Nëse ne duam të rritemi dhe të bëhemi më të mirë, ne duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje dhe të jemi më të fokusuar.

Shqipëria u kualifikua në Euro 2016, por pastaj nuk ia doli të përsëritej në kualifikueset e Rusi 2018 dhe Euro 2020. A mendoni se kemi një mundësi realitet për t’ia dalë në Katar 2022?

Ne kemi treguar se jemi një ekip konkurrues. Objektivi ynë është që të përmirësohemi sa më shumë që të jetë e mundur. Ne duhet të vendosim si objektiv kualifikimin dhe ta kthejmë këtë në një ëndërr tonën, pasi duhet të besosh në objektivat e tua. Nëse kjo skuadër beson dhe më ndjek mua, atëherë mund të arrijë gjëra të mëdha. Rruga jonë padyshim do të përcaktohet nga shorti, por ëndrrat mund të bëhen realitet. Nëse nuk e beson, atëherë nuk mund të bësh gjëra të mëdha.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco