Apolonia – Partizani/ Flet Daja: Ky kampionat nuk ka diferenca, duhet bërë kujdes!

Apolonia – Partizani/ Flet Daja: Ky kampionat nuk ka diferenca, duhet bërë kujdes!

11:34, 24/11/2020

Partizani do të udhëtojë drejt Fierit, për të luajtur ndaj Apolonisë ndeshjen e javës së katërt të Superiores. Të kuqtë e Ilir Dajës i kanë bërë një nisje jo fort pozitive kampionatit të ri, ndaj mbetet të shihet nëse do ta “ndryshojnë marshin” në vazhdim, duke nisur nga transferta e “Loni Papuçiu”. Trajneri Ilir Daja, në konferencën për shtyp në prag të duelit me debutuesit bardhëjeshilë, nënvizoi mes të tjerash:

“Apoloninë e shohim si çdo sfidë të radhës, pasi në këto tri javët e para të kampionatit është konfirmuar se nuk ka ndeshje të lehta. Ekipet janë aty-aty me paraqitjet e tyre. Ne mendojmë se Apolonia ka një ekip me djem të rinj, që duan të promovohen. Ata janë të motivuar në çdo ndeshje; me të njëjtën shkallë motivimi duhet të jemi edhe ne, sepse në fund të fundit çdo ndeshje është e barabartë me tri pikë.

Tri javët e para? Jam i kënaqur me përmirësimin e skuadrës nga ndeshja në ndeshje. Këtë e treguam edhe kundër Laçit, që ishte një ndeshje e vështirë. Manovra po konsolidohet dhe gjërat po shkojnë pozitivisht. Ajo që na ngelet është vazhdimësia.

Mungesat? Nuk duhet të fokusohemi te mungesat, pasi me këtë kampionat të ngjeshur do ta kemi këtë problematikë gjatë gjithë kohës, jo vetëm ne, por edhe rivalët. Ne nuk jemi të plotë, por ata që janë në dispozicion besoj se bëjnë maksimumin për të minimizuar mungesat që kemi. Broja deri në seancën e djeshme është stërvitur i diferencuar. Nëse nuk do të jetë as sot, nuk do ta sakrifikojmë nesër. Më mirë të mungojë nesër se në vazhdimësi.

Kundërshtari? E kam ndjekur Apoloninë, ndryshon shpesh në vendosje. Luajnë në fushën e tyre dhe do të jenë më agresivë, në kuptimin për të marrë një rezultat pozitiv. Presim një Apoloni tjetër.

Rastet e shënimit? Kemi pak kohë në dispozicion për t’u përgatitur, dje zhvilluam një seancë 90 minuta dhe punuam para porte. Mendoj se duhet të dalim sa më shumë para porte, pasi nëse ke shumë raste, mund të shkosh te goli.

Paraqitjet kanë ardhur në rritje. Kemi konsolidim të manovrës në sulm e në mbrojtje. Vazhdimësia ka qenë e mirë. Duhet që ato gjëra që i kemi bërë mirë t’i shtrijmë në një minutazh sa më të madh. Luhatjet janë normale, por kjo është ajo që duhet të përmirësojmë në vazhdim. Me jep besim fakti që djemtë kanë qenë të motivuar maksimalisht dhe kanë bërë paraqitje të mira nga ndeshja në ndeshje.

Rivalët dhe derbi me Tiranën? Ne kemi rival vetëm Apoloninë, fokusohemi vetëm te ndeshja e nesërme. Më pas do të shohim cilët janë rivalë më të fortë, apo jo të fortë. E thashë që në këtë fillim të kampionatit nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Derbi? Jemi të fokusuar te ndeshja e nesërme, masje as për Skënderbeun ndaj të cilit do të luajmë të dielën, nuk po mendojmë. Duam të marrim maksimumin në ndeshjen e radhës.

Pres motivim të skuadrës në vazhdim dhe konsolidim më të mirë në drejtim të finalizimit. Me rastet e krijuara duhet të shkojmë te goli, çka të jep qetësi psikologjike. Dihet se kush shënon i pari ka më shumë shanse të fitojë”.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco