Egbo ‘justifikon’ humbjen: Teuta është skuadër acaruese

Egbo ‘justifikon’ humbjen: Teuta është skuadër acaruese

17:36, 08/11/2020

Tirana humb sërish ndaj Teutës (0-1), që duket se është shndërruar në një “mace të zezë” për bardheblutë, ndërsa trajneri Emanuel Egbo shprehet i kënaqur me paraqitjen e të tijve, por pranon se gjithçka u vendos nga një episod.

Pse humbët sot ndaj Teutës?

Ndeshja e sotme u vendos vetëm nga një episod, ku pësuam me goditje standarde dhe më pas loja mori rrjedhë tjetër. Jam i kënaqur me mënyrën si reagoi ekipi pasi pësoi gol, por në pjesën e parë nuk ishim të qetë, duke ditur kundërshtarin që kishim përballë. Kemi krijuar raste për të barazuar, por nuk shënuam dhe humbëm.

A është kjo humbje një sinjal alarmi për një sezon më të vështirë dhe një organikë jo shumë të pasur?

Duhet të mësojmë shumë nga kjo humbje sot, pasi pësuam gol në goditje standarde, ku nuk ishim shumë të përqendruar. Ka edhe 34 ndeshje për t’u luajtur, ndaj nuk ka vend për alarm, por dihet që do të jetë një kampionat shumë më i fortë, pasi edhe ekipe të tjera janë përforcuar.

Klubi pagoi për pezullimin e Bathës dhe Torrasës, por ju aktivizuat vetëm të parin…

Ekipi fitues nuk ndryshohet, por sot futëm vetëm Bathën, duke sqaruar edhe Torrasën pse e lamë në stol. Janë gjëra që nuk duam t’i nxjerrim jashtë familjes, por faza ofensive bëri mirë ndaj Kukësit dhe nuk kishte vend për të bërë ndryshime. Megjithatë ne diskutojmë gjithçka, madje edhe formacionin dhe nuk ka rëndësi kush luan, pasi të gjithë duhet t’i mbështesim ata që zbresin në fushë.

Teuta ju ka mposhtur në 4 ndeshjet e fundit. A është bërë pak si peshë psikologjike ky kundërshtar për Tiranën?

E kemi përgatitur mirë ndeshjen, por kemi parë një film të përsëritur, pasi edhe ndeshjet e tjera ndaj tyre i kemi humbur me një episod dhe më pas kemi shpërdoruar shumë raste. Janë gjëra që ndodhin, por duhet të mësojmë nga ndeshje të tilla, pasi Teuta është skuadër agresive, acaruese, vonon lojën, etj., ndaj nuk duhet lënë të shënojë golin e parë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco